Flasin heronjtë e fitores ndaj Luftëtarit: Start super për Kastriotin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2018 | 15:50

Flasin heronjtë e fitores ndaj Luftëtarit: Start super për Kastriotin

Për Kastriotin nuk mund të kishte nisje më të mirë të sezonit të ri sesa marrja e tri pikëve në debutim, në transfertën e Gjirokastrës. Krutanët arritën të merrnin një fitore me shumë vlera, e cila erdhi falë një penalltie të fituar nga Bardhi dhe shndërruar në gol nga mesfushori Sokol Mziu. Të dy protagonistët flasin për “Panorama Sport” në lidhje me këtë fitore, e cila ka ngritur moralin e krutanëve.

luftetari kastrioti

BARDHI– I riu Patrik Bardhi u afrua në merkaton e verës te krutanët dhe menjëherë ra në sy për aftësitë e tij të veçanta, por edhe për shpejtësinë e jashtëzakonshme. Bardhi ishte protagonisti në marrjen e 11- metrëshit, falë të cilit krutanët “hipotekuan” fitoren ndaj gjirokastritëve. “Ndihem mirë që e nisëm me tri pikë sezonin e ri, pasi fillimi i mbarë na ndihmon shumë për vazhdimësinë. Sa i takon penalltisë, e ndoqa me kujdes veprimin e Markut dhe e vura topin në kontroll. Mbrojtësi më shtyu, e humba kontrollin e topit, ndaj dhe e fitova penalltinë, jo si dhuratë, por për meritë”, deklaroi fillimisht Bardhi, i cili foli edhe për aventurën e tij të re në Krujë.

patrik bardhi

“Është sezoni im i parë me Kastriotin dhe më duhet të punoj fort për të merituar një vend titullari. Do më duhet pak kohë për t’u përshtatur me lojën e skuadrës për të dhënë më të mirën time. Kemi një grup kryesisht me futbollist të rinj, por kemi edhe lojtarë me mjaft eksperiencë, që duke i bashkuar së bashku krijohet një ekip simpatik, siç u pa në fushën e Luftëtarit. Kjo ishte veç një ndeshje, ndaj nuk duhet të kalojmë në eufori, por duhet të punojmë fort për takimin e radhës në të cilin duhet të japim më të mirën tonë”, u shpreh Bardhi për “Panorama Sport”.

MZIU- Mesfushori Sokol Mziu luan sezonin e tij të dytë me Kastriotin. Mziu ka eksperiencë mjaftueshëm në futbollin shqiptar, ndaj iu besua atij ekzekutimi i penalltisë. “Për ne si skuadër s’ka fillim më të mirë. Kemi më shumë se një muaj e gjysmë që kemi punuar fort dhe ndihemi mirë që filluam me tri pikë edicionin e ri.

Është sezoni i dytë që luaj për Kastriotin dhe më duhet të them se kam gjetur veten në këtë skuadër. Mora përsipër ekzekutimin e penalltisë me besim dhe ia dola të shënoj golin e fitores. Golin ua dedikoi të gjithë shokëve, trajnerit Plori që beson tek unë, si dhe gjithë tifozërisë sonë. Uroj që në të ardhmen të shënoj gola të tjerë me vlerën e tri pikëve”, u shpreh Mziu për “Panorama Sport”.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"