“Flasim 12 herë në ditë, mund të isha te Kukësi”, Shqiprim Taipi: Ja çfarë më tha Gjelbrimi pasi më mundi 4-0

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2021 | 21:28

“Flasim 12 herë në ditë, mund të isha te Kukësi”, Shqiprim Taipi: Ja çfarë më tha Gjelbrimi pasi më mundi 4-0

Shqiprim Taipi është futur në vitin e tretë të aktivizimit me Skënderbeun. Pak ditë më parë mesfushori që mbush 24 vjeç më 19 shkurt mund të transferohej te Kukësi, por në momentet e fundit palët nuk arritën marrëveshjen. Për sfidën me vëllain e tij, Gjelbrimin, emocionet e ndeshjes në Korçë, përjetimin e humbjes, synimet dhe të ardhmen, Shqiprimi foli dje ekskluzivisht për “Panorama Sport”.
145296620_2941975279365884_1404467488712395651_n (1)
Gjelbrim (m) dhe Shqiprim Taipi (d) gjatë sfidës së fundit Skënderbeut-Kukësi 0-4

Shqiprim, si e përjetuat përballjen kundër vellait?
Nuk e kisha menduar asnjëherë se do të vinte dita që të luanim kundër njeri-tjetrit. Prandaj futbolli është i bukur, pasi ka të papritura. Aq sa ishte kënaqësi që të luaja kundër vëllait tim të madh, mund të them se po aq ishte edhe shumë e vështirë.

Cila ishte biseda që keni bërë përpara kësaj ndeshjeje?
Ne jemi shumë të lidhur me njëritjetrin dhe flasim gjithmonë shumë. Mos ta teproj tani, por nëpërmjet telefonit komunikojmë 10 apo 12 herë në ditë. Isha unë ai që e ngacmoja më tepër këto kohë, pasi jam më i vogli. S’kemi qenë asnjëherë kundër njëri-tjetrit në fushë.

Humbet 0-4, çfarë ju tha Gjelbrimi pas ndeshjes?
Nga ai çdo herë marr këshilla, më ndihmon jashtëzakonisht shumë në çdo aspekt. Kështu ndodhi edhe pas ndeshjes. Ai më tha fjalë për veten dhe për ekipin. Më tha: “Jeni ekip i ri, duhet ta ndihmoni më shumë njëritjetrin, sepse vetëm të bashkuar mund t’ia dilni”.

Gjate ndeshjes patët ndonjë moment kur duhet t’i ndërhynit në mënyrë të gabuar vëllait, pasi nuk kishit rrugë tjetër?

Në fakt, gjatë gjithë kohës ishim duke e ruajtur njëri-tjetrin që të mos e vrisnim. Ishte një moment në minutat e para të lojës, kur unë sapo mora topin, ai më ndërhyri nga mbrapa, por arbitri lejoi avantazhin. Po ashtu edhe në disa raste më fliste që të mos e mbaja shumë topin, se ishte fushë e vështirë

Çfarë ju thanë familjarët e tjerë pasi mbaroi ndeshja?
Babai kishte dëshirë që të fitoja unë. Më telefonoi edhe pas ndeshjes dhe ishte i mërzitur.

Kukesi stervitje

Jeni të dy mesfushorë, cili tipar mendoni se ju dallon më tepër?

Sa i përket anës fizike, jam unë më i forti. Ndërsa Gjelbrimi mendoj se është teknikisht më mirë se unë. Besoj dhe uroj që në të ardhmen të jemi pjesë e një skuadre.

Të flasim pak për negociatat që patët deri më 31 janar me Kukësin, për të qenë në një ekip me Gjelbrimin. Pse nuk u arrit marrëveshja?
Është e vërtetë që kam qenë në bisedime me Kukësin, mirëpo tani s’dua të flas se çfarë ndodhi dhe pse nuk u realizua transferimi. Unë kam kontratë te Skënderbeu deri në fund të qershorit dhe do të bëj të pamundurën që të sigurojmë qëndrimin në Superiore. Skënderbeu i këtij sezoni rrezikon zbritjen nga elita.

Skënderbeu i këtij sezoni rrezikon zbritjen nga elita. Si një prej lojtarëve qe ka me tepër eksperience nga grupi aktual, pse mendoni se skuadra ka ardhur ne këtë pike?

Jam prej dy vitesh te Skënderbeu dhe ka shumë arsye se pse jemi në këtë gjendje. Pikësëpari verën e kaluar u largua i gjithë ekipi, pra lojtarët e formacionit dhe trajneri. Pastaj, u afruan lojtarë të rinj në moshë, me kualitet, por që duhet kohë të përshtaten me futbollin shqiptar. Unë shpresoj se që nga ndeshja e radhës do ta rimarrim veten.

Besoni se mund të dilni me pikë në ndeshjen ndaj Tiranes?

Normal që presim rezultat pozitiv. Asnjë futbollist nuk ka dëshirë të humbë. Sadopak shanse të vogla të ketë për të fituar, unë do të besoj deri në fund dhe uroj që të dalim me një rezultat pozitiv.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"