“Flas dhe lexoj shqip, nuk largohem dot”, futbollisti serb: Javë tjetër do takohem me presidentin dhe…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2021 | 10:04

“Flas dhe lexoj shqip, nuk largohem dot”, futbollisti serb: Javë tjetër do takohem me presidentin dhe…

Milan Gjorgjeviç nuk e ka të lehtë të ndahet nga Lezha. Ka gati një dekadë që është pjesë e Besëlidhjes (në 9 vite ka pasur vetëm dy shkëputje të vogla), ndaj “divorcin” e ka më shumë se të vështirë. I ka skaduar kontrata dhe mbi të gjitha plani i klubit për një ekip “bio” e nxjerrin në një lloj forme jashtë planeve, megjithatë 35- vjeçari po mendon rikthimin. Aktualisht ai ndodhet në Serbi dhe nuk përjashton si opsion që të përfshihet edhe si pjesë e stafit teknik, derisa pret të pajiset me licencën e trajnerit.

gjorgjevic

Që kjo të ndodhë, fillimisht duhet të ulet me presidentin dhe vetëm nëse e bind, mund të realizohet plani i mesfushorit. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai tregon sa i vështirë ka qenë sezoni i fundit për të, pasi ka kaluar nga një shqetësim te tjetri. Na rrëfen lidhjen e fortë që ka me Lezhën dhe mbi të gjitha me Shqipërinë, aq sa mund të flasë dhe shkruajë rrjedhshëm. “I jam bashkuar Besëlidhjes në janar të vitit 2012 dhe aq shumë më është futur në zemër ky ekip, sa jam bërë tifoz i saj i zjarrtë. Gjatë këtyre 9 viteve që kam veshur këtë fanellë, vetëm dy herë jam larguar nga Lezha dhe detyruar për arsye objektive.

Në verën e 2019-ës erdha për ta mbyllur karrierën time futbollistike këtu në Shqipëri. Të dyja sezonet e fundit me fanellën lezhjane përkuan në periudhë pandemie. Edhe për mua rezultoi fatale, pasi veç Koronavirusit më goditi nervi shiatik dhe më pas apendiciti. Shpresoj t’i kem kaluar pa pasoja të rënda për shëndetin. Tani jam në fazën e fundit të terapisë në një klinikë këtu në Beograd dhe jam thuajse i rehabilituar. Po pres ndërkohë të marr edhe licencën si trajner dhe shpresoj që javën tjetër të vij në Lezhë për të biseduar me presidentin për të ardhshmen time. Dëshira ime është që futbollin ta mbyll me Besëlidhjen, ashtu siç e kam deklaruar më herët. Unë tani jam integruar plotësisht në shoqërinë shqiptare. Flas dhe shkruaj shumë mirë gjuhën, kam zënë shumë miq dhe për këtë jam i lumtur. Shpresoj shumë që në sezonin 2021-2022 të përmbushet objektivi madhor dhe rikthimi në Kategorinë Superiore. Kjo do të ishte një mbyllje spektakolare e karrierës për mua. Kam shumë besim që kjo do të ndodhë”, deklaroi 35- vjeçari, i cili e quan ende veten pjesë të lezhjanëve.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"