Flamurtarit i rikthehet bomberi për Partizanin, por Birçe duhet të “arnojë” sërish formacionin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2019 | 21:41

Flamurtarit i rikthehet bomberi për Partizanin, por Birçe duhet të “arnojë” sërish formacionin

Lajme të mira për Flamurtarin para Partizanit. Sulmuesi Xhevahir Sukaj qetëson trajnerin Luan Birçe. Në seancën e djeshme Sukaj ka shfaqur shenja përmirësimi, ndërsa stafi teknik po mendon për ta pasur të grumbulluar për ndeshjen e së dielës.

sukaj1

Në stërvitjen e 5 nëntorit, sulmuesi shkodran pati shfaqur probleme dhe nuk e pati çuar deri në fund seancën, teksa ka pësuar një tërheqje. Duke qenë se është një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës dhe që u nevojitet vlonjatëve në këtë moment jo të mirë që po kalojnë, sulmuesi Sukaj shqetësoi jo pak trajnerin Birçe.

Në stërvitjen e dy ditëve më parë, sulmuesi shkodran pati dhimbje, por dje situata dukej e përmirësuar. Burime pranë stafit teknik thonë për “Panorama Sport” se sulmuesi Sukaj do të shikohet edhe sot, por gjasat janë që ai të jetë në dispozicion për takimin me Partizanin. Duke qenë se shkodrani nuk është aktivizuar thuajse gjatë gjithë javës, mbetet për t’u parë nëse do të aktivizohet që nga fillimi apo jo. Por, duke qenë se ndeshja me të kuqtë është e rëndësishme, gjasat janë që, për hir edhe të nevojës për pikë, ai edhe mund që të sakrifikojë. Gjithsesi, mbetet për t’u parë.

SITUATA

Flamurtari nuk po kalon një situatë të mirë, jo vetëm që është në fundin e tabelës klasifikimit me tri pikë, por as fati nuk është me të. Sikur të mos mjaftonte kjo, duket se edhe dëmtimet po kthehen në një makth të vërtetë. Një tjetër shkodran ka shfaqur probleme. Ansi Nika ka dëmtuar kaviljen. Nuk dihet se kur do të kthehet dhe do të jetë gati në fushën e lojës. Për ndeshjen me Partizanin është mungesë e sigurt, por nuk dihet se kur Nika do të jetë i gatshëm dhe ende për këtë nuk ka një informacion të saktë. Një mungesë e sigurt për takimin me Flamurtarin është edhe Fjoralb Deliaj.

Flamurtari2

Vlonjati është duke bërë terapi dhe po stërvitet i diferencuar. Deliaj shikohet si një lojtar tepër i rëndësishëm për ekipin, pasi veç mbrojtjes ai mund të aktivizohet edhe në mesfushë dhe mungesa e tij në këtë ndeshje konsiderohet si një problem më vete. Për ndeshjen me Partizanin, Flamurtari do të ketë një tjetër mungesë të rëndësishme. Arinaldo Rrapaj nuk do të jetë nën urdhrat e trajnerit Birçe, pasi është grumbulluar me Kombëtaren U-19 për ndeshjen me Belgjikën. Ky i fundit, nëse klubi do ta kërkojë, mund t’i bashkohet skuadrës të dielën për të luajtur kundër Partizanit.

RIKTHIMET

Flamurtari do të ketë një rikthim të rëndësishëm për ndeshjen me kampionët. Greku Jorgos Sarris do të jetë nën urdhrat e trajnerit Birçe. Lojtari kishte pësuar një tërheqje, ndërsa këtë javë e ka marrë veten dhe është shfaqur në përmirësim. Po ashtu, i gatshëm do të jetë edhe Shaqir Haruni. Mesfushori vlonjat katër ditë më parë la stërvitjen për shkak të një kontraktimi, por pritet që të jetë i gatshëm për takimin me Partizanin. Në kuadër edhe të mungesave që kuqezinjtë kanë në këtë takim, gjasat janë që Haruni të projektohet si titullar.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"