Flamurtarit i duhen lojtarë në çdo repart, ja problemi kryesor në Vlorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2020 | 16:11

Flamurtarit i duhen lojtarë në çdo repart, ja problemi kryesor në Vlorë

Flamurtarit i duhen lojtarë në çdo repart, nga porta deri në sulm. Klubi vlonjat e ka të qartë këtë gjë dhe nëse do të kishte nisur kampionati sipas datës së përcaktuar më parë, skuadra do të kishte shumë probleme.


FLAMURTARI 

PORTA – Flamurtari ka një problem mjaft të madh në portë. Disa herë administratori Idrizi ka kërkuar të bindë Shpëtim Moçkën, por deri tani nuk ka asnjë marrëveshje dhe trajneri Resuli ka të gatshëm vetëm të riun Saugli Alimuçaj. Klubi është në kërkim të një lojtari me eksperiencë për të mbrojtur kuadratin, pasi Alimuçaj nuk e përballon dot kampionatin e së Parës. Ai është i ri në moshë dhe pa eksperiencën e duhur, kështu që patjetër duhet një portier tjetër, nëse Moçka nuk kthehet.

REPARTET E TJERA – Flamurtari, në fakt, ka nevojë për përforcim edhe në repartet e tjera. Lojtarët e sezonit të shkuar që kanë eksperiencë, edhe pse janë të rinj në moshë, janë Mateo Qarri, Ariel Muçollari, Krenviol Kreshpa, Shaqir Haruni, Arbion Balilaj, Gersi Diamanti, Denis Aliaj, Reinaldo Mukaj, Ledion Qelaj dhe Evi Hasanaliaj. Të gjithë të tjerët janë lojtarë të rinj, janë rreth 17 lojtarë të akademisë vlonjate që po stërviten me ekipin e parë.

Flamurtari Resuli

Në përbërje të Flamurtarit janë edhe dy brazilianë, sulmuesi Henrike Ramos dhe mesfushori Souza de Oliveira, ndërsa afrimet e deritanishme janë maqedonasi Burak Menga, Alvi Ahmetaj dhe Tarik Çmajçanin. Edhe pse janë duke u stërvitur me ekipin, nën urdhrat e trajnerit Dritan Resuli, të tre lojtarët ende nuk mund të cilësohen si blerje zyrtare, përderisa nuk kanë firmosur një kontratë. Merkatoja është e hapur për vlonjatët, të cilët kanë nevojë për elementë cilësorë.

DINASTIA ÇIPI – Ekipit të parë të Flamurtarit i është bashkuar edhe djali i ish-futbollistit të njohur vlonjat, Geri Çipi. Mateo Çipi është 17 vjeç dhe më parë ka qenë pjesë e U-17- ës së Flamurtarit. Ai është grumbulluar nga trajneri Dritan Resuli, i cili do ta shohë se sa do të përshtatet me ekipin e parë në Kategorinë e Parë dhe a do të ecë në gjurmën e të atit, Gerit. Kujtojmë që familja Çipi ka nxjerrë lojtarë që kanë bërë historinë me fanellën e Flamurtarit të madh. Përmendim këtu Kreshnik Çipin dhe Geri Çipin.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"