Flamurtari zyrtarizon dy brazilianë, ikën Lena

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2016 | 11:47

Flamurtari zyrtarizon dy brazilianë, ikën Lena

danilo almedia alvesDy blerjet e para të Flamurtarit janë nga Brazili. Merkato e janarit ka nisur tashmë për kuqezinjtë, të cilët kanë arritur akordin me lojtarët e parë. Bëhet fjalë për dy futbollistë të Serisë A të Brazilit.

Danilo Almeida Alves dhe Lukas Matos Martins janë zyrtarisht pjesë e vlonjatëve. I pari është sulmues, 24 vjeç, 1.87 m i gjatë dhe peshon 78 kg. Alves e ka nisur karrierën e tij te Quixada në 2011 dhe po në këtë vit është aktivizuar edhe me Penapolense dhe Luverdense.

Në 2012, sulmuesi brazilian ka qenë pjesë e Portugesa dhe në 2013 ka luajtur tek Avai. Në 2014 ka qenë pjesë e tre ekipeve Atletiko Sorocaba, Bragantino dhe Criciuma, në 2015 pjesë e Shën Benedikti dhe së fundmi në klubin Osasco Audax. I dyti është mesfushor, por edhe lojtar që aktivizohet dhe përshtatet me së miri edhe në mbrojtje. Martins ka lindur më 17 janar 1997, është 1.76 m i gjatë dhe peshon 69 kg. 19-vjeçari, mesfushor me tipare mbrojtëse, është aktivizuar te Corinthians FC. Edhe pse nuk ka një karrierë të pasur, ai shihet si një nga përforcimet cilësore te kuqezinjtë.

Largimi

Nijaz Lena i ka dhënë fund pas 6 vitesh karrierës te Flamurtari. Ai e ka bërë të ditur vendimin e tij nëpërmjet një postimi në “Facebook”, pas një takimi që ka zhvilluar me administratorin Sinan Idrizi. “6 vite me fanellën e Flamurtarit. Në gjithë këto vite, kalova gjithç- ka me këtë ekip. Ishte nder dhe kënaqësi që të mbaja veshur këtë fanellë me shumë traditë. Faleminderit, qytetarëve vlonjatë, tifozëve të kësaj skuadre. Gjithashtu falënderoj dhe presidentin që u tregua shumë korrekt në të gjitha aspektet dhe e mirëkuptoi dëshirën time për të vazhduar karrierën në një ekip tjetër”, shkruan Lena në “Facebook”.

I kontaktuar nga “Panorama Sport”, shqiptaro-maqedonasi thotë se deri më tani nuk ka asnjë skuadër konkrete se ku mund të aktivizohet në të ardhmen. “Karrierën do ta vazhdoj tashmë në një tjetër ekip, por deri tani nuk ka gjë konkrete. Futbollin është shpejt për ta lënë. Mendoj që të luaj të paktën 5-6 vite të tjera si profesionist, ndërsa në fund të karrierës sime do të shkoj të jetoj në Amerikë”, sqaroi Lena. Gjatë qëndrimit të tij te Flamurtari, ai ka qenë një nga lojtarët e preferuar të tifozëve, por edhe një nga pikat e forta në formacion.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"