Flamurtari zhgënjen në miqësoren e dytë, e mposht Gostivari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2017 | 9:40

Flamurtari zhgënjen në miqësoren e dytë, e mposht Gostivari

Flamurtari i Shpëtim Duros pësoi humbjen e parë në tokën maqedonase. Pas fitores 3-2 pak ditë më parë ndaj Makenodjas, dje kuqezinjtë kanë udhëtuar drejt Gostivarit ku kanë luajtur me ekipin vendës dhe kanë humbur pas një goli të shënuar nga Ademi. Duhet thënë se vlonjatët kanë qenë disi të lodhur për shkak të vapës dhe temperaturave të larta si edhe nga stërvitja e paradites, që u zhvillua në palestër.

gostivari flamurtari

Ndeshja

Loja ka qenë e barabartë dhe nga të dy kampet nuk kanë munguar rastet për shënim. Por, në minutën e 10′, kuqezinjtë do të pësonin golin e disavantazhit pas rrjetës së gjetur nga Ilirid Ademi. Ekipi i Duros ka provuar të barazojë rezultatin, por nuk ia ka arritur, pasi Gostivari, që luan në ligën e dytë maqedonase mbrohet mjaft mirë.

gostivari flamurtari1

Madje, ekipi kundërshtar, që në radhët e tij gjatë kësaj merkatoje vere është përforcuar me disa futbollistë mjaft cilësorë nga Liga e Parë e Maqedonisë, nuk është dorëzuar para skuadrës vlonjate. Megjithatë, në këtë fraksion të parë të takimit, Flamurtari ka qenë shumë i përgjumur, pa arritur të kthejë rezultatin në favor të tij edhe pse ka pasur disa raste që mund të shfrytëzoheshin më mirë.

Me fillimin e pjesës së dytë të ndeshjes, trajnerët e dy ekipeve do të hidhnin në fushë lojtarët e stolit. Për vlonjatët bie ne sy aktivizimi i Alveshit, i cili nuk arriti të ndryshonte rezultatin edhe për shkak se është bashkuar me ekipin ditët e fundit dhe ende nuk e ka arritur formën e duhur. Megjithatë vlonjatët nuk kanë reshtur së kërkuari golin e barazimit, por Hoxhaj dhe Neziraj kanë gabuar shumë para portës kundërshtare.

Ndërsa në fundin e takimit, Liçaj me kokë ka të gjithë mundësitë për ta dërguar sferën në rrjetë, por gabon. Gostivari ndërkohë mbrohet mirë dhe mundohet të mos lërë hapësirat për kundërshtarët, çka i jep fitoren në këtë fund ndeshjeje. Vlonjatët do të luajnë ndeshjen e tretë miqësore në Maqedoni në datën 7 gusht dhe përballë do të kenë ekipin Zajaz.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"