Flamurtari tronditet nga dëmtimet, Birçe shtrydh skuadrën në stërvitje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2019 | 12:55

Flamurtari tronditet nga dëmtimet, Birçe shtrydh skuadrën në stërvitje

Flamurtari tronditet para Kukësit. Sikur të mos mjaftojë kriza e rezultateve, tashmë vlonjatëve u shtohet edhe makthi i dëmtimeve. Jorgos Sarris zyrtarisht nuk ia del për transfertën e së dielës. Mbrojtësi grek ka pësuar një kontraktim muskular dhe dhimbjet e kushtëzojnë që të zbresë në fushë. Mjekët e kanë këshilluar që të pushojë dhe maksimumin mund të kryejë trajtime fizioterapike.

Sarris

Për këtë motiv ai as nuk u paraqit dje në seancën stërvitore. Nuk mund të thuhet ende me siguri se sa do të qëndrojë jashtë greku, pasi gjithçka varet edhe nga riaftësimi. Por nuk është i vetmi që shqetëson stafin teknik. Në orët e fundit, listës së mungesave u është shtuar Fjoralb Deliaj, një nga titullarët e padiskutueshëm të ekipit.

Burime pranë klubit bëjnë me dije për “Panorama Sport” se në stërvitjen e ditës së martë, Deliaj ka dëmtuar këmbën e djathtë dhe ndien dhembje. Kujtojmë që ai nuk luajti me Skënderbeun për shkak të të kuqit, megjithatë tashmë rrezikon edhe Kukësin për shkak dëmtimi.

Deliaj

Nëse mungesa e Sarrisit është e sigurt, Deliaj mbetet pezull. Mbrojtësi nuk është stërvitur me grupin, ndërsa ka qëndruar në vëzhgimin e stafit mjekësor. I vetmi lajm i mirë para javës së 11-të është rikthimi i Olsi Gocajt. Shkodrani e ka shlyer skualifikimin prej të verdhëve dhe është gati.

STËRVITJA

Luan Birçe ka stërvitur një grup të përgjysmuar dje. Pjesa më e madhe e lojtarëve që u aktivizuan ndaj Skënderbeut u lanë pushim, derisa u kryen një seancë të martën. Xhevahir Sukaj, Jorgos Sarris, Valdo Zeqaj, Jurgen Vatnikaj, Kreshnik Nebihu, Andi Ribaj, Ardit Hoxhaj, Denis Pjeshka nuk ishin në seancën e djeshme. Nën urdhrat e trajnerit të komanduar ishin dy portierët Shpëtim Moçka dhe Arlis Shala, bashkë me lojtarë, si Lirim Mema, Semir Bajraktareviç, Elian Çelaj, Shaqir Haruni, Romedi Llapi, Kenviol Kreshpa, Ansi Nika, Jurgen Vrapi, Arien Muçollari etj.

luan birce

 

Drejtori Ardi Ciruna ka ndihmuar trajnerin e parë. U zhvillua edhe një lojë brenda grupit me aq sa elementë kishte në organikë. Nuk kishte ndonjë ndarje specifike, teksa futbollistët me dëshirë kanë ndërruar edhe pozicionet. Birçe ka qenë mjaft i ashpër dhe nuk ka ngurruar edhe t’u bërtasë lojtarëve kur gabonin. Ka kërkuar nga mesfushorët dhe sulmuesit të gjuanin në portë dhe të ishin të saktë në veprime. Nga mbrojtja ka kërkuar qarkullim të topit me 4-5 takime, ndërsa rezerva ka pasur edhe për portierët.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"