Flamurtari, triumf mes tensionit në Memaliaj/ Trajneri Resuli: T’i lënë alibitë, ta kenë për nder që luajnë me ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2021 | 9:07

Flamurtari, triumf mes tensionit në Memaliaj/ Trajneri Resuli: T’i lënë alibitë, ta kenë për nder që luajnë me ne

Flamurtari debuton në Kategorinë e Dytë me një fitore të pastër në transfertën e Memaliajt. Mirëpo, jo gjithçka ka qenë e lehtë për vlonjatët e trajnerit Dritan Resuli, të cilët shënuan golin e parë vetëm pas 60 minutash lojë. Vendësit janë acaruar së tepërmi me gjykimin e kryesorit nga Shkodra, Begris Dragusha, i cili ndëshkoi me karton të kuq në minutën e 43-të mesfushorin e ardhur nga Polonia, Luan Redzepi.

Memaliaj Flamurtari

Ky i fundit është një shqiptar me nënshtetësi polake, ndërsa së fundmi ka luajtur në ligat e ulëta të Gjermanisë. Flamurtari dominoi në pjesën e parë duke goditur dy herë shtyllën me shkodranët Behar Ramadani dhe Denis Pjeshka.

Memaliaj Flamurtari Ribaj

Ndëshkimi me kartonin e dytë të verdhë të Redzepit revoltoi memaliotët. Lojtari u largua nga fusha duke lotuar, ndërsa epërsia numerike u shfrytëzua në maksimum nga Flamurtari gjatë pjesës së dytë.

Memaliaj Flamurtari Licaj

Fillimisht mesfushori “veteran”, Lejdi Liçaj, kaloi në avantazh vlonjatët në minutën e 60- të, në një rast që u kontestua shumë nga stafi memaliot për pozicion jashtë loje. Kuqezinjtë kontrollojnë lojën dhe në fund duke parë rënien fizike të vendësve shënojnë dy gola të tjerë.

Memaliaj Flamurtari Gocaj

Metani dyfishoi shifrat, ndërsa Diamanti vulosi gjithçka në shtesë pas një hezitimi të mbrojtjes vendëse. Edhe goli i dytë u kontestua nga memaliotët për pozicion të parregullt të Metanit, por anësori Çobaj nuk e ngriti flamurin.

Memaliaj-Flamurtari

REAGIMET E TRAJNERËVE

Pas ndeshjes për “Panorama Sport”, trajneri i Memaliajt, Altin Zhupa, u shpreh: “Nuk jam aspak i mërzitur sepse luajtëm si të barabartë me Flamurtarin. Por, ekipi vlonjat nuk ka nevojë për ndihmën e gjyqtarëve. Arbitri e prishi lojën duke favorizuar Flamurtarin. Për të njëjtat ndërhyrje nuk i dha të kuq lojtarit vlonjat, Liçaj, ndërsa futbollistin tonë e ndëshkoi. I përgëzoj djemtë për atë që dhanë në fushë”.

Resuli Flamurtari

Ndërkohë, trajneri i Flamurtarit, Dritan Resuli, për gazetën pas ndeshjes, replikoi me Zhupën. “Normalisht vlerësojmë çdo skuadër për ta arritur objektivin. Detyra jonë dihet, që luftojmë për maksimumin, të kthehemi ku duhet të jemi dhe ku e kemi vendin. Do të vazhdojmë për më të mirën. Të gjitha ndeshjet janë të vështira. Janë terrene të panjohura për ne. Duhet pasur parasysh që për çdo ekip në këtë nivel është luks që i shkon të luajë Flamurtari si kundërshtar.

Resuli

T’i lënë alibitë. Opinionet do t’ia lëmë kohës. Memaliaj dhe ekipet e tjera ta kenë për nder që ta kenë Flamurtarin si rival në historikun e tyre. Ta kenë për kënaqësi që autobusi i Flamurtarit t’u shkojë në qytet dhe futbollistët tanë t’u zbresin përballë në fushë si kundërshtarë. Ndaj t’i lënë këto komente dhe alibi, se nuk shkon”, deklaroi Resuli.

ROLAND SULI & ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"