Flamurtari-Teuta, Prokuroria: Gati të zbardhim bastet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2016 | 10:53

Flamurtari-Teuta, Prokuroria: Gati të zbardhim bastet

Prokuroria e Vlorës do të ketë shumë shpejt në dorë prova të forta që do të hedhin dritë mbi ndeshjen e dyshuar si të trukuar, Flamurtari-Teuta 2-1, të zhvilluar më 24 janar të vitit 2015. flamurtari “Panorama Sport” zbulon se UEFA ka dërguar së fundmi informacionin e disa kompanive ndërkombëtare të basteve për ndeshjen e sezonit të kaluar.

Materiali disafaqësh ka mbërritur i zbardhur vetëm në gjuhën franceze, ndërsa Prokuroria e Vlorës e ka dërguar menjëherë dosjen në Ministrinë e Drejtësisë, e cila do të bëjë edhe përkthimin e saj në shqip. Më pas dosja do të mbërrijë në Prokurorinë e Vlorës dhe do të nisë menjëherë hetimi.

Kjo çështje i është besuar për hetim prokurores Flora Çela, me mbështetjen e kryeprokurorit të Vlorës, Ramadan Troci. Ky i fundit kërkon të vërë përpara përgjegjësisë autorët, gjithnjë nëse në fund të hetimit, pretendimet e vlonjatëve do të rezultojnë të vërteta.

Konfirmimi

Kryeprokurori i Vlorës, Ramadan Troci, konfirmon ekskluzivisht për “Panorama Sport” se kanë mbërritur përgjigjet nga kompanitë ndërkombëtare të basteve. Sipas kreut të organit të akuzës, këto do të jenë provat më të forta që do të vërtetojnë atë që dyshohet se ka ndodhur.

“Për ndeshjen Flamurtari-Teuta, e cila është në hetim, mund t’ju konfirmoj se ka mbërritur informacioni nga kompanitë e basteve nga jashtë vendit. Materiali është duke u përkthyer në Ministrinë e Drejtësisë, pasi është në gjuhë të huaj.

Them se këto fakte që ne kemi, janë të rëndësishme për hetimin dhe ato do të përcaktojnë përfundimisht nëse kemi të bëjmë ose jo me trukim të ndeshjes. Pra, informacioni që ka mbërritur tregon nëse kjo ndeshje është hedhur në baste.

Nuk mund të flasim tani nëse ka qenë apo jo e trukuar, përderisa nuk kemi nisur ende shqyrtimin e informacionit të mbërritur. Ajo që mund të them me siguri është se pas shqyrtimit të këtyre provave, ne do të dalim me qëndrimin zyrtar, – tregoi Troci.

Hetimet për këtë ndeshje kanë mbetur të pezulluara deri në mbërritjen e informacionit të UEFA-s. Ndërkohë, menjëherë pas denoncimit të ndeshjes nga drejtuesit e Flamurtarit, Prokuroria ka marrë në pyetje për këtë çështje 4 futbollistë nga të dyja skuadrat, si dhe pjesëtarë të stafit teknik.

Për shkak të hetimit, prokuroria nuk ka bërë të ditur emrat e futbollistëve dhe zyrtarëve të klubit që janë pyetur. Për shkaqe hetimore nuk janë bërë të ditura as deklarimet e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"