Flamurtari sytë nga FIFA, vlonjatët kanë një plan “B” për trajnerin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2020 | 11:43

Flamurtari sytë nga FIFA, vlonjatët kanë një plan “B” për trajnerin

Flamurtari me sytë nga FIFA për hapjen e merkatos. Në një kohë që drejtuesit e Flamurtarit pretendojnë se e kanë kryer pagesën ndaj Kristian Sirgit, për të cilin u bllokuan edhe federimet e afrimeve të janarit, të paktën deri dje në Vlorë nuk kishte asnjë lajm pozitiv në këtë drejtim. Të gjithë në klub dje ishin me sy dhe me veshë nga FIFA për zhbllokimin e sistemit, por ende pa rezultat. 

Flamurtari-Teuta

Të gjithë në Vlorë janë në ankth, që nga drejtuesit e klubit e deri te stafi teknik dhe vetë lojtarët. Por, më me “zemër në dorë” në këtë situatë janë Bruno Lipi, Uelder Kosta, Flosard Malci, Indio Oliveira dhe Taje Taivo, që janë në pritje të federimit. Ka qenë vetë administratori Sinan Idrizi që u shpreh optimist pas ndeshjes me Vllazninë në Shkodër se gjithçka do të ndryshojë në Vlorë duke lënë të kuptohet edhe zhbllokimin e merkatos.

“Prisni dhe do shikoni, kam një sfidë me të gjithë. Unë jam shumë i kënaqur dhe ju them prisni për të parë Flamurtarin. Nuk do ta lëmë garën, madje do luajmë edhe më mirë. Patjetër që besoj te mbijetesa”, deklaroi Idrizi. Por, të paktën deri dje nuk ka pasur asnjë sinjal pozitiv në klubin vlonjat për zhbllokimin e merkatos, e megjithatë shpresat vijojnë të mbeten ende të ndezura për një sinjal nga FIFA.

troisiii

TRAJNERI

Në Vlorë ka edhe një çështje tjetër. Edhe pse braziliani Marselo Troisi ka ardhur te Flamurtari si trajner, ai nuk e ka licencën përkatëse. Trajneri duhet që të ketë licencën “UEFA Pro”, por Troisi rezulton të mos e këtë licencë. Braziliani ka licencën “UEFA A”. Në këto kushte, mbetet problem qëndrimi i tij në stolin e Flamurtarit, që me shumë mundësi, nëse braziliani do të vijojë aventurën në Vlorë, ndoshta do të “kamuflohet” si drejtues klubi për të qëndruar në stol dhe në rolin e trajnerit do të jetë dikush tjetër. Por, “Panorama Sport” mëson se trajneri Marselo Troisi u ka vendosur si kusht drejtuesve të klubit që të gjendet zgjidhja për zhbllokimin e merkatos dhe vetëm atëherë ai do të firmosë kontratën. Në të kundërt, nëse merkatoja nuk do të zhbllokohet nga FIFA, atëherë Troisi do të largohet bashkë edhe me lojtarët që ka sjellë vetë.

Flamurtari2

PLANI “B” 

Në Vlorë ka edhe një tjetër plan. Nëse Marselo Troisi largohet dhe merkatoja nuk do të hapet, Flamurtari pritet që ta zgjidhë brenda shtëpisë çështjen e trajnerit. Dritan Resuli me 99% do të jetë trajneri i ri. Resuli disponon licencën “UEFA Pro”, por është edhe trajneri më i suksesshëm i akademisë vlonjate. Madje, Resuli ishte caktuar si trajner i parë në ndeshjen me Vllazninë në Shkodër, por nuk ishte në pankinë pasi s’kishte dorëzuar raport mjekësor. Nëse gjërat nuk do të ecin sipas parashikimeve, atëherë Dritan Resuli do të jetë trajneri i ri i Flamurtarit.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"