Flamurtari super, thyen Tiranën dhe e gdhin në krye

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2017 | 11:58

Flamurtari super, thyen Tiranën dhe e gdhin në krye

Është luajtur dje para dite në pallatin e sportit të Vlorës ndeshja e basketbollit për femra, ku skuadra e Flamurtarit ka mundur 70-63 Tiranën në një përballje “big”-ësh për javën e pestë të Kampionatit Kombëtar për Grupin A duke marrë kreun e renditjes. Një ndeshje që ka sjellë rivalitet dhe emocione në fushë, ndonëse niveli la shumë për të dëshiruar, me basketbollistet e të dyja skuadrave që bënë shumë gabime.

flamurtari tirana basketboll

Por në fund, rëndësi pati fitorja e Flamurtarit, që mposht një rivale direkte për titullin, siç është Tirana, madje duke parakaluar në klasifikim dhe Goga Basket që kryesonte, por që sot ajo do të zhvillojë ndeshjen kundër Vllaznisë, të cilën e presin në fushën e tyre, në pallatin “Ramazan Njala” të Durrësit.

Tirana dha maksimumin në fushë, por duket se bardheblutë e kanë të vështirë të përballojnë ritmin e dy skuadrave të tjera rivale për titullin, teksa janë mundur edhe nga durrsaket e Goga Basket. Në ndeshjen e luajtur dje, Studenti mposhti me shumë lehtësi 92-49 Skënderbeun. Sukses që konsolidon pozitat e kryeqytetaseve në vendin e katërt. Studenti e dominoi ndeshjen ndaj një rivali që luajti me hope, duke e merituar fitoren dhe kërkon një vend në “play-off”.

Për sa i përket takimit të luajtur në Vlorë, ka mjaftuar një periodë e katërt perfekte për Flamurtarin për të fituar ndaj Tiranës, në një ndeshje plot rivalitet dhe emocione në pallatin e sportit në Vlorë. Takimi ka nisur me rivalitet nga të dyja skuadrat, por vetëm pas disa minutash lojë Tirana humbet Igena Qypin për shkak të një dëmtimi, ndërsa në parket ka pasur emocione nga të dyja skuadrat.

Pas një pjese të parë të ekuilibruar 33-32 për Flamurtarin, vlonjatet kanë shkatërruar Tiranën në periodën e fundit kur kjo kryesonte deri në këtë periodë 48-46, ku kanë barazuar dhe kanë fituar të gjithë takimin 70-63. Në grupin B është luajtur dhe takimi tjetër, ku Fieraket e drejtuara nga trajneria Elsa Goga kanë fituar ndaj Partizanit 86-45.

Kastriot Brahimaj, Olsen Llambro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"