Flamurtari sulmon: Kapitalistët e FSHF-së po kthejnë komunizmin

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Korrik 11, 2016 | 12:54

Flamurtari sulmon: Kapitalistët e FSHF-së po kthejnë komunizmin

Sinan Idrizi vijon luftën me FSHF-në. Kësaj here, administratori i Flamurtarit është shumë i ashpër sa i përket numrit të lojtarëve të huaj, teksa institucioni i futbollit nuk mori parasysh kërkesën e klubit vlonjat për rritjen e tij. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Idrizi e ka cilësuar këtë veprim dashakeqësi të FSHF-së, që sipas tij po favorizon ekipin e preferuar.

Magani Idrizi

Administratori i Flamurtarit u kujton drejtuesve të FSHF-së se vijnë nga biznesi, por nuk po zbatojnë ekonominë e lirë. “Është skandaloze që FSHF nuk mori në konsideratë kërkesën për rritjen e numrit të lojtarëve të huaj. Ky është skandal dhe dashakeqësi e tyre. Unë nuk e kuptoj çfarë logjike është kjo. Kryetari i FSHF-së, por edhe drejtuesit e tjerë të kupolës së atij institucioni vijnë nga biznesi dhe e dinë se çfarë do të thotë biznes, por po frenojnë kapitalizmin.

Duka është biznesmen, Libohova financier. Ku e bëjnë biznesin e tyre këta, brenda vendit apo edhe jashtë? Çudi e madhe, vijnë nga biznesi dhe frenojnë biznesin. Ose e bëjnë për të favorizuar ekipin e tyre të preferuar. Nuk jemi aspak të barabartë në treg. Ku t’i gjej unë lojtarët në Shqipëri, më thoni ku t’i marr?”, shprehet Idrizi.

Sinan Idrizi

Humbja e besimit

Administratori i Klubit të Futbollit Flamurtari shprehet se nuk ka besim te FSHF, e cila nuk po e drejton siç duhet futbollin në vend. “Unë nuk jam dakord me numrin e limituar të lojtarëve të huaj, por nuk kam se ku të ankohem. E dini për çfarë është FSHF? Për të sjellë faturat e gjobës edhe kur nuk janë të miat apo në rastet kur unë jam shumë në rregull me gjithçka. Unë kam ardhur për të bërë institucion dhe jam i vetmi që derdh rregullisht detyrimet në shtet. Këta nuk i njohin këto.

E përsëris, FSHF është një institucion abuzivist që nuk njeh detyrimin e tatimit mbi pagesë, nuk njeh sistemin kapitalist dhe nuk njeh sistemin e taksave. Në këto dy vite që unë administroj Flamurtarin, nuk kam parë asnjë nga FSHF që të vijë e të konsultohemi së bashku. Askush nuk ka ardhur, qoftë edhe duke sjellë ekspertin më të vogël.

IDRIZI

Nuk e kanë bërë diçka të tillë dhe duket se nuk u intereson. Dua të ankohem unë, po ku? Komisioni i Etikës i merr urdhrat nga lart. Kapitalistët e FSHF-së po kthejnë komunizmin. Ore, e dinë këta që importohet nga jashtë? E dinë që Italia ka 56% – 58% të lojtarëve nga tregu i huaj, apo edhe vendet e tjera?”, tha administratori.

Merkato

Për Sinan Idrizin, FSHF ka bllokuar merkaton e Flamurtarit. Kreu i klubit thotë se do të afronte dy mbrojtës të huaj, por në kushtet kur numri i të huajve nuk ndryshoi, mbetet problem vijimi i merkatos. “FSHF na ka bllokuar merkaton. Unë isha në rrugë të mbarë dhe do të merrja dy futbollistë të huaj, por nuk mund t’i marr dot. Bëhej fjalë për dy mbrojtës që ishin edhe pjesë e kombëtares së vendeve të tyre, të cilët tani nuk vijnë dot.

Më thoni, çfarë lojtarësh të marr? Prej 10 vitesh Shqipëria nuk po nxjerr më talente, ndaj unë pyes: Ku t’i gjej lojtarët, kur nuk kemi alternativa? Të huaj nuk marrim dot më se na bëhen shtatë ndaj jemi në hall të madh. Nuk dimë kë të marrim”, përfundon Idrizi.






www.minuta90.com