Flamurtari refuzoi bashkëpunimin, reagon administratori Jazaj: S’e kuptoj gjuhën e Idrizit, nuk po flasim për burrëri e grari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2023 | 23:54

Flamurtari refuzoi bashkëpunimin, reagon administratori Jazaj: S’e kuptoj gjuhën e Idrizit, nuk po flasim për burrëri e grari

Muharrem Jazaj “skanon” merkaton e Orikut. Administratori mendon se kanë bërë lëvizjet e duhura gjatë janari dhe se qëllimi është vetëm një: mbijetesa në Kategorinë e Parë . Ka pritshmëri të larta për javën e 14-të, ku përballë do të kenë Dinamon. Luajnë në shtëpi dhe i pari i klubit llogarit surprizë.

JAZAJ ORIKU

“Ne kemi bërë merkato të suksesshme. Kemi marrë masa që të mbijetojmë në këtë kategori. Të hënën luajmë me Dinamon. Mund të them se kemi një besim të tepruar për këtë ndeshje. Jemi të motivuar për një paraqitje dinjitoze. Patjetër që më pëlqen merkatoja. Patëm një ecuri jo të mirë në fazën e parë, larguam të pamotivuarit dhe ndërhymë në merkato. Afrimet janë prurje të nivelit më të lartë. Kjo ishte e vetmja mënyrë pasi kërkuam bashkëpunim dhe nuk e gjetëm.

U detyruam të futeshim në merkato”, shprehet fillimisht Jazaj, duke komentuar prurjet e messezonit. Kujtojmë që bregdetarët janë përforcuar me emra si: Thierno Thiub, Vitor Karvalho, Stefan Abara dhe Mateus dos Santos Batista. Administratori ka edhe një përgjigje për Flamurtarin, ose më saktë për Sinan Idrizin. Nuk e kupton gjuhën e homologut të tij kur flitet për sport. Këmbëngul se dëshironin bashkëpunimin vetëm me kuqezinjtë dhe askënd tjetër, ndaj edhe u mbylli derën skuadrave të Superiores. “Unë nuk e kuptoj këtë gjuhë.

Këtu flasim për sport dhe jo për burrëri apo grari. Ne kërkuam bashkëpunim nga Flamurtari dhe donim të ishim ekipi B. Më kanë bërë oferta edhe ekipe të tjera për huazim, edhe nga Superiorja, por ne i donim nga Flamurtari. Unë nuk e kuptoj këtë arsye. Megjithatë unë jam ndryshe”, përfundon Jazaj.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"