Flamurtari pret Besën në shtëpi, flet Kuka: Duel i çuditshëm, gati t’i mposhtim vlonjatët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2020 | 10:09

Flamurtari pret Besën në shtëpi, flet Kuka: Duel i çuditshëm, gati t’i mposhtim vlonjatët

Flamurtari e Besa, dy emra të elitës së futbollit shqiptar, do të sfidojnë njëra-tjetrën këtë të diel. Kavajasit do të udhëtojë të dielën drejt Vlorës, ku do të zhvillojë këtë transfertë të rëndësishme. Për portierin Klajdi Kuka, ky duel vjen në një realitet aspak normal. Gardiani ndien keqardhje që përballen garojnë në Kategorinë e Parë, por kjo nuk e pengon që të paralajmërojë fitoren.

Kuka

“Së pari dua të shpreh keqardhjen që dy emra si Besa e Flamurtari me plot trofe, që kanë dhuruar emocione pa fund në Shqipëri, por edhe në Europë, sot e shohin veten si konkurrente në Kategorinë e Parë. Dikur Ruci, Kushta, Taho me shokë, Karriqi, Bajaziti, Mërhori dhuronin spektakël që ndiqej nga mijëra tifozë. Vendi i këtyre dy ekipeve është elita. E megjithatë, në Vlorë shkojmë për fitore. E lehtë nuk do të jetë sigurisht, pasi të rinjtë vlonjatë kanë ambicie dhe mund t’i hapin probleme kujtdo. Me këtë vlerësim e kujdes, jemi përgatitur gjatë gjithë javës.

Vetë objektivi ynë madhor na imponon që kurdo të hyjmë në fushë për fitore. Ne do të qëndrojmë me këmbë në tokë. E njohim forcën tonë, por do të respektojmë edhe kundërshtarët. Unë besoj shumë te ky grup që kemi dhe te realizimi i objektivit. Drejt Vlorës do të nisemi me ekipin të plotë, pa asnjë mungesë. Na mbetet vetëm të dëshmojmë vlerat tona edhe në këtë ballafaqim”, ka përfunduar Kuka.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"