Flamurtari pret Arbër Abilaliajn për sulmin, vlonjatët duan të afrojnë edhe 1 mesfushor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2013 | 11:44

Flamurtari pret Arbër Abilaliajn për sulmin, vlonjatët duan të afrojnë edhe 1 mesfushor

AbilaliajFlamurtari nuk ka të ndalur në merkato. Vlonjatët duket se kanë piketuar të tjera goditje e surpriza në këtë verë të nxehtë. Pas 4 blerjeve cilësore, do të vijojnë me merkaton me qëllim që siç thonë ata të kompletohet i gjithë grupi. Sipas përllogaritjes së bërë nga trajneri Ernest Gjoka dhe drejtuesit, për të synuar titullin Flamurtarit i duhen edhe dy lojtarë. Burime pranë klubit bëjnë me dije për gazetën se janë në kërkim edhe të dy lojtarëve të tjerë. Bëhet fjalë për një mesfushor dhe një sulmues. Veç Gilman Likës që është lakuar tashmë, për sulmin janë dy pista: Ribaj dhe Abilaliaj. Por duke qenë se për fierakun situata po ndërlikohet, në Vlorë po mendojnë për vlonjatin Arbër Abilaliaj.
Abilaliaj Sulmuesi, i cili sezonin e shkuar e mbylli te Tirana, mësohet se ditët e fundit është kontaktuar nga trajneri Ernest Gjoka. Ky i fundit i ka kërkuar që të nisë stërvitjen me kuqezinjtë dhe më pas të shikohet mundësia ndoshta e afrimit të tij te Flamurtari. Mësohet se ftesa është pranuar nga Abilaliaj dhe sulmuesi pritet që në ditët në vazhdim të bashkohet në stërvitje, ndoshta më pas edhe për të firmosur. Në këto kushte, pas afrimit të portierit Lika, mbrojtësve Smajli e Dushku, si dhe mesfushorit Dragoi, Flamurtari kërkon që në këtë sezon të bëjë edhe dy goditje të tjera. Ditët në vazhdim pritet të zbardhin gjithçka rreth tratativave, ndërsa me shumë gjasa blerjet e reja mund t’i bashkohen skuadrës në fazën përgatitore jashtë vendit. Arbër Abilaliaj pritet t’i bashkohet Flamurtarit në stërvitje. Sulmuesi, i cili është duke u rehabilituar pas një ndërhyrje në këmbë, në ditët në vazhdim do t’u bashkohet kuqezinjve. Ai ka të hapur ende ofertën nga Lokomotiva e Zagrebit, ndonëse gjasat janë që ai të firmosë edhe në Vlorë. Lojtari është kontaktuar nga trajneri Gjoka për të nisur stërvitjen me vlonjatët.
Afrimet Me afrimin e Dani Dragoit, mesfusha është përforcuar mjaft, por kuqezinjtë do dëshironin edhe një lojtar tjetër me qëllim që gjithçka të ishte edhe më e kompletuar. Vlonjatët duan gjithashtu edhe një sulmues, me qëllim që repartin ofensiv ta kenë më të plotë. Sulmuesi që pritet të afrohet do të jetë një ndihmës i mirëfilltë i Memellit, por edhe një siguri në raste të papritura. Megjithëse pjesa më e madhe e lojtarëve të Flamurtarit është një grup me eksperiencë, edhe dy afrimet e reja do të jenë po të tillë. Drejtuesit e kanë bërë të qartë një gjë: te Flamurtari nuk do të ketë më lojtarë stoli, por të gjithë duhet të japin kontributin e tyre dhe të justifikojnë vetveten.

Vlonjatët mposhtin të rinjtë, shënojnë Dragoi e Muzaka
Flamurtari ka zhvilluar dje në pasdite një miqësore me ekipin e të rinjve. Sfidë që është fituar nga djemtë e Gjokës me shifrat 2-1. Golat e Dragoit dhe Muzakës u kanë dhënë suksesin në këtë sfidë testuese vlonjatëve. Thuajse të gjithë titullarët ishin në fushë. Mungonin për arsye shëndetësore Smajli e Lena, si dhe kapiteni Veliu. Ishte Dragoi që zhbllokoi shifrat duke e nisur me gol aventurën e tij me kuqezinjtë, teksa në të 10-tën arriti të shënonte, dhe 1-0. Në minutat në vazhdim Flamurtari dominoi me lojën, por diferencën e bënë edhe lojtarët e ekipit të të rinjve, të cilët shfaqën edhe ata seriozitet në fushë. Në minutën e 37-të ishte Muzaka ai që, pasi fitoi një penallti, nuk nguroi të shënonte e të realizonte dhe golin e dytë për Flamurtarin. Kundërpërgjigja erdh në minutën e 40-të nga të rinjtë, të cilët e çuan rezultatin në 2-1. Kaq mjaftoi dhe në përfundim të pjesës së parë trajneri Ernest Gjoka tërhoqi nga fusha tërë titullarët. Kjo do të thoshte edhe përfundimi i ndeshjes në 45 minuta, pasi në pjesën e dytë u aktivizuan lojtarët e të rinjve, disa prej lojtarëve të stolit të Flamurtarit, si dhe të ardhurit nga ekipi i Himarës. Qëllimi ishte evidentimi i elementëve të rinj.

Gjika ndjek nga afër skuadrën, uron afrimet e reja
Takimi është ndjekur nga afër edhe nga presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika. Kreu i klubit dhe njëherësh i Bashkisë së Vlorës shoqërohej nga drejtuesit e klubit Çipi dhe Behari. Pas takimit, Gjika u takua përzemërsisht me kuqezinjtë dhe në veçanti ka uruar futbollistët e rinj që iu bashkuan ekipit këtë sezon. Takimi është ndjekur edhe nga disa tifozë, ndonëse të paktë në numër. Mendohet që drejtuesit e Flamurtarit deri në nisjen e sezonit të ri kanë përcaktuar në axhendë edhe të tjera miqësore për të mbajtur në formë dhe të ingranuar ekipin.

Shtyhet faza, ekipi niset më 1 gusht drejt Kosturit
Flamurtari shtyn fazën përgatitore jashtë vendit. Dje, drejtuesit e klubit dhe trajneri Gjoka kanë vendosur në parim që faza përgatitore jashtë vendit të nisë më 1 gusht. Parimisht është rënë dakord edhe vendi se ku do të zhvillohet kjo fazë. Bëhet fjalë për një kamping në Kostur të Greqisë. Kampingu, që i ka të gjitha kushtet e domosdoshme, është i vendosur në veriperëndim të Maqedonisë, në Greqi. Më herët u përfolën si destinacione të fazës përgatitore Pogradeci dhe Ohri i Maqedonisë.
E.Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"