“Flamurtari po falimenton”, shpërthen ish-trajneri: Do të shohim përballje në gjykatë, Bashkia fajtore…

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Nëntor 13, 2019 | 23:20

Flamurtari Kategoria Superiore LAJMI KRYESOR Të fundit

“Flamurtari po falimenton”, shpërthen ish-trajneri: Do të shohim përballje në gjykatë, Bashkia fajtore…

Edmond Lutaj ndez alarmin për Flamurtarin. Në një in4 tervistë për “Panorama Sport”, ish-trajneri i njohur vlonjat thotë se klubi rrezikon falimentimin nëse bashkia nuk ndërhyn. Sipas Lutajt, Bashkia e Vlorës duhet ta marrë Flamurtarin përkohësisht në administrim për ta shpëtuar nga rënia. 

idrizi lutaj

Ish-trajneri parashikon se në fund kompanitë turke do të përballen në gjyq me bashkinë nëse nuk do të ketë një zgjidhje të shpejtë. Lutaj thotë se te Flamurtari nuk është çështja e trajnerit, por e financave. Ish-trajneri flet edhe për Partizanin, ndërsa shpreh keqardhjen për largimin e trajnerit Gega që ndërtoi një ekip dinamik dhe befasues. Garën për titull e shikon të hapur.

Flamurtari tregoi edhe me Partizanin se po luan mirë, por nuk mjafton dhe është i fundit. Çfarë komenti keni?

Ekipi për momentin po bën maksimumin me ato mundësi që ka. Nëse nuk ndryshon situata ekonomike në klub, gjendja e skuadrës mendoj se do të vijë duke u përkeqësuar.

Si mund të zgjidhet kjo situatë? 

Atëherë, përgjegjësinë kryesore për ekipin e mban bashkia dhe ajo duhet të reagojë sa më shpejt për ta kaluar përkohësisht klubin nën administrimin e saj. Të bëjë investimet e duhura, me qëllim që skuadra të ketë mundësi të mbijetojë në Superiore. Në të ardhmen, ekipi duhet të privatizohet.

Bashkia nuk duhet të merret me menaxhimin e një klubi futbolli, pasi edhe nëse dëshiron, nuk i ka mundësitë. Unë mendoj se bashkia dhe kompanitë turke në një të ardhme jo të largët do të takohen në zyrat e gjykatës. Dëmi që po i bëhet Flamurtarit për momentin është shumë i madh. E kam thënë dhe më parë dhe e përsëris. Flamurtari rrezikon seriozisht falimentimin.

Ka një precedent ekipi, ku vitin e kaluar nuk u pagua. Është e vështirë edhe në janar të afrosh lojtarë. Ju shqetëson ky fakt?

Mendoj se edhe në janar do jetë i njëjti avaz si në të shkuarën. Por shpresoj ta kem gabim për të mirën e lojtarëve dhe ekipit.

Në qytete të mëdha dhe me traditë si Vlora, Korça, Gjirokastra, rrezikojnë që ekipet të bien nga kategoria. Mund ta quajmë një dramë të futbollit?

Futbolli po kalon një periudhë shumë të vështirë. Janë disa faktorë që ndikojnë në këtë situatë. Njëri është privatizimi. E dyta, gara në kampionat duhet bërë e besueshme dhe reale me qëllim që investitorë seriozë dhe me kapacitet të mjaftueshëm ekonomik të tregojnë interes për të investuar në futboll. Këto ndryshime sjellin edhe kthimin nëpër stadiume të sportdashësve, që janë një pjesë shumë e rëndësishme e futbollit.

lutaj-ne-kembe

Me trajnerin Birçe po ecin mirë. Duhet t’i japin besim drejtuesit, apo nuk është çështje e trajnerit? 

Luani është një djalë me shumë grintë dhe e njeh mirë ambientin. Ai me siguri ua përcjell lojtarëve energjinë e tij dhe mentalitetin e duhur. Unë mendoj se te Flamurtari çështja kryesore është ekonomike.

Luhet me Luftëtarin në javën e ardhshme. E shikoni si mundësi për të marrë fitoren e parë?

Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por mendoj se Flamurtari ka mundësi të marrë tri pikët e para në kampionat dhe të shpresojmë që situata në klub të ndryshojë.

Si e shikoni Partizanin këtë sezon? 

Për mua Partizani i sivjetshëm ndryshon shumë nga i vjetshmi. Partizani i Gegës ishte më dinamik, më kompakt, më befasues dhe një ekip që i menaxhoi situatat e vështira që pati me shumë qetësi. Trajneri Gega ishte një vlerë e madhe jo vetëm për Partizanin, por për të gjithë futbollin shqiptar. Gjynah që nuk mundi të vazhdonte të jepte kontributet e tij edhe këtë sezon futbollistik.

 Cilët mendoni se janë pretendentët për titull këtë sezon? 

Tabela e klasifikimit është shumë e ngjeshur dhe kampionati do jetë shumë i paparashikueshëm. Për mendimin tim, asnjë ekip nuk ka bindur që mund të thuhet se po luan si kampion dhe mund të dalë kampion. Gara është e hapur.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com