Flamurtari “peshkon” te skuadra e Kategorisë së Parë, Memushi piketon dy brazilianë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2019 | 22:24

Flamurtari “peshkon” te skuadra e Kategorisë së Parë, Memushi piketon dy brazilianë

Eqerem Memushi nis të mendojë për merkaton e janarit. Edhe pse nuk ka ende një zyrtarizim të vlonjatit në krye të pankinës së Flamurtarit, Memushi nuk ngurron të japë mendimet e tij për t’i ardhur në ndihmë skuadrës dhe ditët e fundit po shfaqet mjaft aktiv përkrah drejtorit Edmond Liçaj, në mbështetje të Flamurtarit.

eqerem memushi

Ka mjaftuar ndeshja miqësore me Egnatian për të zbuluar edhe dy talente, e për të nisur ndoshta negociatat e ‘peshkimit’ për në merkaton e janarit.

reinert

Eqerem Memushit, por edhe drejtorit Edmond Liçaj u kanë tërhequr vëmendjen dy brazilianët e Egnatias, Luan Henrique da Costa Bahiano dhe Gustavo Reinert. “Panorama Sport” ka arritur që të zbulojë bisedën që Memushi dhe Liçaj kanë bërë pas ndeshjes miqësore me ekipin e ardhur nga Rrogozhina.

bahiano

Ka qenë ish-trajneri i njohur vlonjat që fillimisht ka ‘ngacmuar’ drejtorin e klubit për dy lojtarët. “Profesor, më ranë shumë në sy dy brazilianët e Egnatias, Da Kosta dhe Gustavo. Ishin goxha të mirë. Sikur të bëhet ndonjë gjë me ta, mirë do të ishte për në janar”, është shprehur Memushi. Nuk ka ngurruar që drejtori Liçaj të japë mendimin e tij për dy lojtarët. “Po, po. Ishin të mirë”, është shprehur ai.

Mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin ngjarjet, por të gjitha gjasat janë që dy brazilianët të jenë në listën e Flamurtarit për merkaton e janarit, pasi në fund të këtij viti kalendarik ata dalin lojtarë të lirë për shkak se kanë firmosur me Egnatian vetëm për sezonin 2018-2019.

SIMPATIA

Pëlqimin për dy brazilianët e Egnatias, Luan Henrique da Costa Bahiano dhe Gustavo Reinert, nuk e kanë shprehur vetëm Memushi dhe Liçaj. Kanë qenë edhe zyrtarë të tjerë në pankinë, por edhe njohës të mirë të futbollit. Një prej tyre edhe fotografi i Flamurtarit, Shkëlqim Ramaj.

Ky i fundit ka shfrytëzuar momentin që Da Kosta dhe Gustavo kanë dalë nga fusha e lojës në pjesën e dytë dhe janë ulur në barin pranë vijave anësore të klubit. Rama i thërret lojtarët, ndërsa ka qenë Da Kosta që është ngritur dhe i është afruar pranë pankinës. “Cili është menaxheri yt?”, e pyet zyrtari i klubit.

Flamurtari2

Braziliani Da Kosta, duke ditur që më parë te Flamurtari ka qenë një tjetër bashkëkombës i tij, Danilo Alvesh, i thotë: “Menaxheri im dhe i atij atje (drejtohet me gisht nga Gustavo) është ai që ka edhe Danilo Alvesh, që keni pasur në Vlorë”. Në këto momente Rama i bën një foto Da Kostas.

KARRIERA

Luan Henrique da Costa Bahiano është 22 vjeç dhe ka lindur në Marilia të Brazilit më 3 gusht 1997. Ai është aktivizuar në Brazil te Marilia, Atl.Uberlandia dhe Ponte Preta dhe luan si sulmues i dytë. Ndërsa Gustavo Reinert është 21 vjeç, i lindur më 16 prill 1998, po në Brazil. Ai është aktivizuar në vendlindje me Coloradon. Më tej është transferuar në Shqipëri tek Egnatia. Gustavo luan si sulmues qendre.

ERMAL SIKA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"