Flamurtari “paqe” me Orikun, Birçe: Në fushë kush e meriton, uroj që të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2019 | 11:29

Flamurtari “paqe” me Orikun, Birçe: Në fushë kush e meriton, uroj që të…

Flamurtari dhe Orikumi bëjnë “paqe”. Jo vetëm ekipet në fushë, por edhe klubet kanë lënë pas ndonjë qejfmbetje të vogël të kohëve të fundit. Administratorët Sinan Idrizi dhe Gëzim Çapo u panë bashkë gjatë gjithë kohës në vendin ku zakonisht rrinë zyrtarët e ndeshjes. 

caste ng

Në ambientet e Pyllit të Sodës, miqësorja u mbyll pa gola. Kuqezinjtë vinin me tri mungesa të rëndësishme. Boshnjaku Semir Bajraktareviç nuk ishte prezent, duke konfirmuar se është larguar përfundimisht, Xhevahir Sukaj prej dëmtimit e ndoqi nga pankina, por nuk luajti as greku Jorgos Sarris pas dhimbjeve që ndiente në kofshë. Orikasit, nga ana tjetër, luanin pa portierin kryesor, Argent Halilaj.

Ndeshja nisi pa nerv dhe me një lojë të përqendruar në mesfushë. Ka pasur raste Rrapaj, Ribaj apo Hoxhaj në pjesën e parë, por pa vënë shumë në rrezik portën e Muhos. Por i qetë ka qenë edhe Moçka, pasi as rreziku i Dhramit nuk ishte i madh. Pjesa e parë do të mbyllej ashtu sikundër edhe nisi.

ffffff

Në të dytën, formacionet u rifreskuan. Si Birçe ashtu edhe Memushi aktivizuan thuajse të gjithë stolin. Edhe ky fraksion loje nuk do të sillte asnjë rast të pastër, por tek-tuk ndonjë presion nga të dy skuadrat. “Derbi” i Bashkisë së Vlorës mbyllet kështu në baraspeshë, pa mërzitur asnjë.

flamurtari luftetari

BIRÇE – Pas ndeshjes, trajneri i Flamurtarit, Luan Birçe, tha për “Panorama Sport” se ky test i shërbeu mjaft ekipit të tij. Por tani mendja është te Laçi, ku do të tentohet fitorja e parë që ka humbur rrugën. “Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme para Laçit. Prej fatkeqësisë natyrore që ndodhi, shfrytëzuam ndërprerjen për të zhvilluar një program edhe më të plotë stërvitor. Nuk mund ta linim pushim fundjavën, ndaj kryem edhe këtë miqësore për të mbajtur lojtarët në formë. Ekipi vijon që të jetë në ritmin e tij, përtej problemeve të ndryshme që tani dihen tashmë. Do të shkojmë për të marrë një rezultat pozitiv në Laç dhe jemi besimplotë, pastaj është fusha që do ta tregojë më shumë. Unë uroj që të vijë fitorja në këtë javë. Ne në çdo ndeshje, siç e keni parë edhe vetë, kemi tentuar për të fituar, pavarësisht kundërshtarëve që kemi pasur përballë dhe renditjes që kanë. Ne kemi sulmuar, kemi goditur portën, por nuk kemi arritur të marrim tri pikët, por kemi fatin tonë edhe ne”, tha fillimisht tekniku i kuqezinjve.

luan birce

APELI – Luan Birçe nuk njeh asnjë kompromis për formacionin. Në prononcimin e djeshëm e theksoi edhe një herë këtë gjë. I pyetur për largimin e boshnjakut Bajraktareviç, trajneri la të kuptohej se nuk i prish punë, pasi nuk ka qenë në lartësinë e duhur. “Unë që ditën e parë që jam paraqitur si trajner i parë i Flamurtarit, u kam thënë djemve se në fushën e lojës do të luajë ai që është i rregullt në stërvitje. Pra, ai që jep 100% në stërvitje dhe ai që është i shëndetshëm psikologjikisht, mendërisht do të ketë hapësirë. Për mua nuk ka emra. Të gjithë lojtarët janë njësoj. Fusha e lojës e ka treguar që shpesh kemi besuar në emra, por nuk ka rezultuar kështu. Njerëzit do të jenë me mendje, me zemër, me shpirt për të luajtur futboll, do të hyjnë në fushë pa hezitim”, përfundon Birçe.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"