Flamurtari pa frena, Vllaznia polemizon. Zeqiri-Abilaliaj: Golat, për Gjikën dhe tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2013 | 13:00

Flamurtari pa frena, Vllaznia polemizon. Zeqiri-Abilaliaj: Golat, për Gjikën dhe tifozët

Vllaznia-Flamurtari 0-1LAMURTARI-VLLAZNIA 3-1
GOLAT: Zeqiri 13’ (p), 78’ , Abilaliaj 73’ / Hajdari 45’
FLAMURTARI: Moçka, Liçaj, (Bishaj 88’), Dushku, Kuqi, Begaj (Qejvani 70’) Mici, Lena, Telushi, Arbri, Zeqiri, Pepa (Abilaliaj 47’). Trajner: Ernest Gjoka
VLLAZNIA: Vujadinoviç, Semina, Kraja (Gocaj 71’), Sykaj, Baçi, Belisha, Tafili, Kruja, Shtubina (Gjini 81’), Hajdari, Bushiç. Trajner: Agim Canaj
KARTON I VERDHË: Pepa 20’, Zeqiri 24’, Dushku 29’ Liçaj 42’/ Belisha 24’, Bardulla 55’
DELEGAT: Petrit Hoxha
VËZHGUES: Astrit Canaj
GJYQTARET: Enea Jorgji/ E.Ganxhi dhe A.Mahmutaj

MINUTAT
2’ Reagimi i parë i rrezikshëm i Vllaznisë: gjuajtje e fuqishme e Shtubinës, por topi pasi ndalet në shtyllë, përfundon te këmbët e Hajdarit, edhe ky i fundit provon, por Moçka shmang rrezikun.
5’ Mici vrapon me një top të marrë nga Arbri nga mesi i fushës, por në aksion e sipër mbrojtja shkodrane neutralizon situatën.
8’ Zeqiri jep me të majtën një top për Pepën, por sulmuesi e humbet, ashtu sikundër dorëzohet edhe në një dyluftim me Sykajn.
13’ Zeqiri jep një top të gjatë për Lenën, mesfushori pengohet gjatë aksionit në hyrje të zonës nga një lojtar i Vllaznisë. Gjyqtari i penalizon shkodranët për ndërhyrjen e gabuar dhe jep një penallti për vlonjatët. Pavarësisht kontestimeve, Zeqiri merr përsipër ekzekutimin dhe nuk gabon duke mposhtur Vujadinoviçin, 1-0.
24’ Lena gjendet në mesin e fushës ku lëshon një predhë në drejtim të rrjetës së shkodranëve, mirëpo portieri pret në kohë.
30’ Zeqiri jep një top për Micin, ky i fundit gjen Pepën, i cili në fakt gabon shënjestër teksa gjuan me kokë.
44’ Shtubina shfaqet i rrezikshëm duke i rrëmbyer një top Liçajt, por është mbrojtja vlonjate që ndal aksionin e shkodranit.
45’ Telushi bën një kthim të gabuar dhe përfitojnë shkodranët, Hajdari i gjendur përballë portës tërësisht të pambuluar të vlonjatëve e çon topin drejt rrjetës duke barazuar shifrat, 1-1.
53’ Gol i anuluar për Flamurtarin: duke përfituar nga një rrëmujë e mbrojtjes së Vllaznisë, Abilaliaj depërton në zonë dhe topi i gjuajtur prej tij përfundon në rrjetë. E ndërsa anësori fillimisht e konsideroi si gol, pas konsultës me gjyqtarin kryesor u vendos anulimi i tij për pozicion të parregullt.
60’ Pasi ka në zotërim një top, Hajdari lëshon një silurë në drejtim të Moçkës, por gardiani del dhe pret në kohë topin.
64’ Abilaliaj fiton një dyluftim dhe dërgon një top për Telushin, ky i fundit gjuan drejt portës, por sfera përfundon jashtë.
71’ I sapofutur në lojë, i riu Qejvani pas një topi të marrë nga Mici rrezikon ta dërgojë atë në rrjetë, por sfera përplaset me shtyllën dhe përfundon jashtë.
73’ Qejvani që nga goditja e këndit dërgon një top afër portës së miqve. Abilaliaj nuhat drejtimin e topit dhe pa u menduar e devijon atë në rrjetë, 2-1.
78’ Vlonjatët gjenden në zonën e Vllaznisë duke e rrezikuar atë seriozisht me aksione të shpejta. Mbrojtja shkodrane shpërqendrohet për një moment dhe i lë hapësirë Zeqirit, i cili shënon 3-1.

Flamurtari nuk di të ndalet. Kuqezinjtë duket se po kalojnë krizën dalëngadalë. Me rezultatin 3-1 vlonjatët kanë mposhtur në shtëpinë e tyre Vllazninë, duke bërë kështu hapa të sigurt drejt kreut. Ka qenë një ndeshje sa e vështirë aq edhe me emocione, ku fati i ka buzëqeshur në fund Flamurtarit, pavarësisht se edhe Vllaznia ka zhvilluar një lojë voluminoze gjatë gjithë 90 minutave. Dy golat e Zeqirit, njëri në pjesën e parë me penallti dhe tjetri në të dytën, si dhe një gol i Abilaliajt kanë vulosur fitoren e vlonjatëve. Të dy ekipet kanë krijuar lojë dhe raste, por gjatë ndeshjes nuk kanë munguar as kontestimet e shumta në adresë të gjykimit si nga vlonjatët, ashtu edhe nga shkodranët. Vllaznia e nis mjaft e lëvizshme lojën, duke rrezikuar seriozisht portën vlonjate me anë të Shtubinës dhe Hajdarit, por është kundërpërgjigja e shpejt e Moçkës që ndryshon edhe rrjedhën e aksioneve të veriorëve.
Penalltia – Mbrojtja shkodrane përpiqet që në minutat e para të takimit të neutralizojë disa raste të vlonjatëve. Goli do vinte shumë shpejt për vlonjatët, atëherë kur në fakt nuk pritej. Është minuta e 13-të, kur Zeqiri jep një top të gjatë për Lenën. Mesfushori pengohet gjatë aksionit në hyrje të zonës nga një lojtar i Vllaznisë. Gjyqtari penalizon shkodranët për ndërhyrjen e gabuar dhe jep një penallti për vlonjatët. Zeqiri merr përsipër ekzekutimin dhe nuk gabon, duke mposhtur Vujadinoviçin. Por, ka kontestime nga ana e Vllaznisë, e cila pretendon për faull. Gjithsesi, gjithçka quhet e rregullt nga gjyqtarët. Njëzet minuta nga fillimi i lojës Flamurtari ka një mundësi të mirë për të shënuar edhe golin e dytë. Pepa merr i vetëm topin dhe me shpejtësi e zotëron atë deri në afërsi të hyrjes së portës, por kryen një ndërhyrje të gabuar ndaj portierit mik, duke dëmtuar atë dhe veten. Në përfundim të kohës së rregullt në pjesën e parë gjyqtari jep një minutë shtesë, që do të ishte me fat për shkodranët. Telushi bën një kthim të gabuar dhe përfiton Vllaznia. Hajdari, i gjendur përballë portës tërësisht të pambuluar të vlonjatëve, e çon topin drejt rrjetës duke i barazuar shifrat 1-1.
Fitorja – Flamurtari e fillon pjesën e dytë me zëvendësimin e sulmuesit Brunild Pepa me Arbër Abilaliaj dhe ky vendim i Gjokës nuk zhgënjen. Të dyja skuadrat e nisin shpejt këtë fraksion loje, duke rrezikuar njëra-tjetrën. Në minutën e 53- të, duke përfituar nga një rrëmujë e mbrojtjes së Vllaznisë, Abilaliaj depërton në zonë dhe topi i gjuajtur prej tij përfundon në rrjetë. E, ndërsa anësori fillimisht e konsideroi si gol, pas konsultës me gjyqtarin kryesor u vendos anulimi i tij për pozicion të parregullt. Në minutat në vazhdim është Telushi që ka disa raste, por duke mos e gjetur dot rrugën e rrjetës. Në minutën e 71- të, i sapofutur në lojë i riu Qejvani, pas një topi të pasuar në drejtim të tij nga Mici, rrezikon ta dërgojë atë në rrjetë, por sfera përplaset me shtyllën dhe përfundon jashtë. Qejvani bëhet sërish protagonist i golit të dytë të Flamurtarit. Gjuajtja e tij nga këndi dukej fatsjellëse. Topi dërgohet afër portës së miqve. Abilaliaj nuhat drejtimin e topit dhe pa u menduar e devijon atë në rrjetë. Shtatë minuta më vonë do vinte edhe goli i tretë, që do të mbyllte historinë. Në minutat në vazhdim vihet re një shpërqendrim total i shkodranëve, pasi pësuan edhe golin e tretë. As tri minutat shtesë në fund nuk do të sillnin ndonjë risi.

MË I MIRI
Hair Zeqiri ishte pa dyshim edhe në këtë ndeshje lojtari më i mirë në fushë. Jo vetëm se ishte autor i dy golave, por Zeqiri i dha shumë frymëmarrje ekipit. Mesfushori me tipare sulmuesi është në formën e tij më të mirë dhe kjo shihet qartë edhe nga rendimenti në lojë. Vlerësim pozitiv edhe për Arbër Abilaliajn.

MË PAK AKTIVI
Duket disi e çuditshme, por lojtari më i dobët në fushën e blertë dje ishte golashënuesi më i mirë i kuqebluve, sulmuesi kroat Bushiç. Ky i fundit nuk krijoi asnjë rast dhe nuk e ndihmoi aspak skuadrën e tij. Dobët edhe Kraja në mbrojtje dhe Shtubina, nga të cilët pritej më tepër në këtë përballje.

“E merituam, goli i anuluar i rregullt”
Trajneri i Flamurtarit, Ernest Gjoka, shprehet i lumtur dhe i gëzuar për fitoren e arritur dje. Sipas tij, ishte një ndeshje e vështirë, por edhe e bukur. “Ishte një ndeshje shumë e vështirë. Ne e kishim thënë që në krye të herës që do të ishte e vështirë, pasi ishim përballë një Vllaznie që luan futboll shumë mirë. Ne arritëm të fitonim dhe të gjitha ato që unë kam thënë, që duhet të jemi të përqendruar për të fituar, qëndrojnë, pasi ne sot (dje) ishim shumë të përqendruar, luftuam shumë dhe fituam në fund. Një urim special për të gjithë futbollistët e mi me shumë dashuri, për çka po japin, dhe u uroj me gjithë zemër të vazhdojmë kështu”. Duke u ndalur te goli i anuluar, Gjoka përfundoi: “Nuk e kam shumë të qartë këtë episod, por mua m’u duk se ishte një gol i rregullt”.

“U ndëshkuam nga penalltia fiktive”
Trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, ka rezerva për gjykimin kur bëhet fjalë për penalltinë e fituar nga Flamurtari. Canaj e cilëson si një ndeshje të luftuar nga të dyja skuadrat. “Dua të falënderoj dy skuadrat, që luftuan nga minuta e parë deri në të fundit. Të them të drejtën fituam me një penallti të pamerituar, e cila duhet parë me vëmendje. Megjithatë, arritëm të kompensojmë, të shënojmë duke baraspeshuar lojën. Tabloja e pjesës së parë ishte e luftuar. Ne patëm dy momente mjaft të mira për të kaluar në avantazh, falë të cilave mund të ndryshonte edhe situata në lojë, megjithatë Flamurtari shfrytëzoi një goditje dënimi, një vendosje që ishte një gabim i mbrojtjes sonë. U munduam të krijonim frymëmarrje dhe të bënim gjithçka, por goli i tretë e mbylli përfundimisht lojën. I uroj suksese Flamurtarit”.

Zeqiri-Abilaliaj: Golat, për Gjikën dhe tifozët
Autori i dy golave në këtë ndeshje, Hair Zeqiri, thekson se kjo ishte fitorja që i duhej Flamurtarit për të rritur pozitat. “Jemi shumë të kënaqur me tri pikët që morëm nga ky takim pasi, edhe pse kishim tri fitore radhazi, nuk ishim në pozitat e duhura në tabelën e klasifikimit. Jam i kënaqur që shënova sërish dy gola, të cilët ia dedikoj presidentit Shpëtim Gjika, familjes sime, tifozëve dhe të gjithë atyre që i qëndrojnë pranë ekipit tonë”. Për sulmuesin Arbër Abilaliaj, Flamurtari duhet të vijojë rrugën e fitoreve, pasi në të kundërt të gjitha shumëzohen me zero. “Një fitore shumë e rëndësishme, por kemi akoma shumë punë për të bërë. Vërtet kemi katër fitore radhazi, por tabela e klasifikimit është shumë e ngjeshur. Nëse nuk arrijmë aty ku duhet, të gjitha shumëzohen me zero”.

Gjika dhe… pantallonat e Liçajt
Presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, e ka ndjekur nga tribuna takimin e djeshëm. Kreu i klubit vlonjat ka festuar shumë në momentin e golit të dytë të shënuar nga Zeqiri. Pas ndeshjes, ai është takuar përzemërsisht me lojtarët dhe trajnerin Gjika duke i uruar për fitoren. “Jam krenar për Nestin dhe djemtë. Mirënjohje për ta deri në përulje”, deklaroi dje Gjika. Sakaq, gjatë lojës Lejdi Liçajt iu grisën pantallonat. Pas një aksioni për të kapur një top rreth minutës së 20-të, ai nga shpejtësia u rrëzua përtokë dhe në këtë moment grisi edhe pantallonat.
ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"