Flamurtari nuk ndalet, zbret nga Superiorja Lushnja. Vlonjatët e Gjokës fitojnë lehtësisht

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2014 | 18:00


Flamurtari nuk ndalet, zbret nga Superiorja Lushnja. Vlonjatët e Gjokës fitojnë lehtësisht

Lushnja-Flamurtari 2-3LUSHNJA-FLAMURTARI 2-3
GOLAT: Gjoni 39′, Mihani 84’/ Abilaliaj, 3′, A.Shehaj, 23′, Lena 76′
LUSHNJA: Spaho, Bjelkanoviç, Bakiasi (Ruço 25′), Rr.Sulo, Ndoni, Mihani, Gjoni, Trashi (Xhafa 37′), Topi (Dervishi 61′), Tiodoroviç, Canka. (në dispozicion: Shtrepi, Musaku, Petro, Shkurti); Trajner: Artan Bano
FLAMURTARI: Moçka, Sakaj, Dushku, Veliu, Mici, Arbri (Pepa 71′), Lena, Kuqi, Lika (Qejvani 77′), A.Shehaj (Begaj 66′), Abilaliaj. (në dispozicion: Xhelilaj, Beqiri, Liçaj, L.Shehaj); Trajner: Ernest Gjoka
KARTONË TË VERDHË: S’ka
DELEGAT: Albano Janku (Tiranë)
VËZHGUES: Fatmir Tare (Durrës)
GJYQTARET: K.Cjapi, I.Tartari, O.Grabova (Fier)

MINUTAT
3′ Pas një topi të Lenës, Abilaliaj shkëputet në të majtë. Për një moment është dukur në pozicion “off-side”, por loja ka vijuar. Sulmuesi avancon, futet në zonë dhe lëshon një diagonale, duke e dërguar topin në trekëndëshin e majtë të Spahos, i cili ka reaguar me vonesë dhe 0-1.
11′ Arbri vepron bukur nga e djathta e sulmit vlonjat dhe pason në qendër për Abilaliajn, që ngatërrohet. Topi shkon sërish tek Arbri, i cili godet befasisht, por jashtë.
23′ Arbri lirohet në të djathtë dhe servir Ardit Shehajn, që afrohet pak në hyrje të zonës. Sulmuesi vlonjat ka goditur mjaft bukur me të djathtën një top të kalibruar, i cili ka kaluar mbi Spahon dhe ka përfunduar në pikën ku bashkohet shtylla e djathtë pingule dhe shtyllën transversale, duke realizuar një supergol dhe 0-2 për Flamurtarin.
26′ Tiodoroviç në qendër është bllokuar dhe servir në të djathtë Gjonin, i cili godet në vrapim e sipër. Topi nuk gjen kuadratin.
31′ Goditje e fortë e sulmuesit lushnjar Canka mbi vijën e 16 m, por topi sërish nuk gjen kuadratin.
33′ Kros i bukur i Ruços nga e majta e sulmit lushnjar. Në krahun tjetër godet në pozicion të prirët Rr.Sulo, por Moçka pret shkëlqyer.
38′ Një tjetër kros i Ruços, Canka kthen me kokë në qendër, por topi përfundon jashtë.
39′ Gjoni shfrytëzon hapësirën duke u futur në zonë, godet shpejt në të djathtë të Moçkës dhe ngushton shifrat në 1-2.
64′ Mbrojtësi lushnjar Xhafa ngatërron adresë, duke ia pasuar topin Shehajt. Pritet kundërsulmi i vlonjatëve, por është vetë Xhafa që ndërpret goditjen e Abilaliajt.
72′ Abilaliaj lirohet nga e djathta dhe i afrohet portës duke goditur në vrapim e sipër, por Spaho grushton topin. Aksionin e vazhdon Pepa, por edhe në gjuajtjen e tij topi nuk filtron, ngec në këmbët e lushnjarëve.
73′ Bukur Pepa nga e djathta për Abilaliajn, por gjuajtja është mbi traun e portës.
76′ Pas një topi të Begajt nga e majta, Lena e kontrollon atë brenda zonës dhe godet në të djathtë të Spahos, duke shënuar golin e tretë për Flamurtarin, 1-3.
79′ Mihani nxjerr të lirë Cankën, i cili zhvendoset pak në të djathtë për ta marrë topin. Goditja është e menjëhershme, por jashtë.
81′ Goditje këndi për Lushnjën, kroson Gjoni dhe Dervishi me kokë, ndonëse është i pamarkuar në qendër të zonës, e ka dërguar topin mbi traun e portës.
84′ Mihani godet fort me të majtën nga një pozicion ballor rreth 17-18 m nga porta vlonjate. Topi përfundon në rrjetë, në të majtë të Moçkës dhe 2-3.

Lushnja është mundur 2-3 nga Flamurtari, dje në “Roza Haxhiu”, duke rënë edhe matematikisht nga Superiorja. Qëndrimi i verdhejeshilëve në futbollin elitar ka zgjatur një sezon, madje praktikisht vetëm një gjysmë sezoni, duke parë edhe ecurinë në javët e fundit. Edhe në pasditen e djeshme lushnjarët kanë vijuar në ritualin e humbjeve, duke seleksionuar të tretën disfatë radhazi pas fitores në tavolinë me Bylisin. Një ditë e hidhur për futbollin lushnjar, që ka njohur zyrtarisht rënien. Nga ana tjetër, Flamurtari merr një fitore të çmuar për renditjen, duke ecur sup më sup me Vllazninë dhe Tiranën. Një trehapësh i saktë i vlonjatëve me nëntë pikë të plota. Objektivi është i qartë: sa më larg Besës, për t’u siguruar dhe për të pasur një situatë më të qetë para finales së kupës. Golat e Abilaliajt, Shehajt dhe Lenës kanë zhvlerësuar ato të Gjonit dhe të Mihanit.
Ndeshja Përballja midis Lushnjës dhe Flamurtarit ka qenë brenda parametrave të një fundsezoni, madje vlen të theksohet se në 90-minuta lojë kryesori Cjapi nuk ka akorduar asnjë karton të verdhë. Sytë e 500 shikuesve në “Roza Haxhiu” e kanë përjetuar takimin qetësisht dhe pa impresion. Duke u bezdisur paksa nga zhurma e tifozëve të ardhur nga Vlora. Kuqezinjtë e kanë nisur me vrull që në fillim, duke e goditur Lushnjën dy herë brenda gjysmës së parë të 45 minutave. Ka qenë një “déjà vu” e takimit të 8 marsit. Flamurtari ka bërë thuajse të njëjtën ndeshje kundër Lushnjës, duke përdorur mirë kundërpresingun që i ka dhënë sërish rezultat. Abilaliaj gjen shpejt golin me një diagonale, që në të 3-ën minutë. Duket se sulmuesi ia ka marrë dorën Lushnjës, pasi nga 8 gola në total, 4 ja ka shënuar pikërisht këtij kundërshtari. Në të 23-ën minutë vjen edhe goli i Shehajt, i cili ka bërë gjithçka mirë, duke e qetësuar Flamurtarin, me një 2-0 të pastër. Më pas ndeshja ka vijuar më e qetë në ritëm dhe ndërprerjet e shumta për shkak të lojës së ashpër, që Lushnja i pagoi me dy ndërrime. Madje, dëmtimi i Trashit, që doli me barelë nga fusha e lojës, është më i rëndë. Lushnja ngushton distancën e golave me Gjonin, i cili ishte nga më të mirët e verdhejeshilëve dhe me rezultatin 1-2 shkohet në pushim. Në 45 minutat e dyta Flamurtari mundohet ta kontrollojë ndeshjen, por në të dy portat mungojnë episodet, madje nuk ka as ngacmime. Lushnjarët në disa momente luajnë edhe me 10 lojtarë, pasi Xhafa e më pas Rr.Sulo morën shumë minuta për t’u mjekuar jashtë vijës anësore. Pas minutës së 70-të loja e Flamurtarit ngrihet dhe shpërblehet me golin e Lenës. Në fund është Lushnja që kërkon një gol, të cilin e realizon me anë të Mihanit, i cili ngushton shifrat në 3-2. Minutat e fundit dhe shtesa nuk rezervojnë surpriza, pasi gjithçka mbetet e pandryshuar.

MË I MIRI
Dyshja e sulmit të Flamurtarit, Arbër Abilaliaj dhe Ardit Shehaj, ka qenë pjesa më e mirë e kuqezinjve në ndeshjen e djeshme në Lushnjë. Ekipi vlonjat ka pasur një kontroll të mirë të topit për minuta me radhë dhe për rrjedhojë nuk mungoi as finalizimi. Të dy këta futbollistë kanë dëshmuar rritje javë pas jave, duke qenë pikë referimi në vijën e parë për kuqezinjtë.

MË PAK AKTIVI
Në nivel reparti mbrojtja lushnjare ka bërë një ndeshje të dobët, duke lënë hapësira dhe korridore boshe, të cilat u shfrytëzuan në mënyrën më të mirë nga Flamurtari, falë edhe lëvizshmërisë së mirë. Në një ditë të errët kanë qenë futbollistë si Bjelkanoviç, Bakiasi, Rr. Sulo dhe Ndoni. Po të ishin disi më të kujdesshëm, ata mund të kishin shmangur edhe ndonjë gol.

Bano Artan, trajneri i Lushnjes“Vuajtëm mungesat, po mendojmë të ardhmen”
Artan Bano, trajneri i Lushnjës, cilëson mungesat e shumta si faktorin kryesor që solli këtë humbje. “Mbi 5-6 mungesa ishin shumë për Lushnjën, shto këtu edhe dy ndërrimet e detyrua. Unë e kam theksuar që ne po përgatitemi për Kategorinë e Parë. Lojtarët që kanë pak minutazh duhet të luajnë, pasi po mendojmë për vitin tjetër. Për vetë formulën e këtij kampionati, e shohim veten jashtë. Tani, në ndeshjet e fundit, do të aktivizojmë futbollistët që do të përballojnë kampionatin tjetër në Kategorinë e Parë. Kjo skuadër meriton shumë më tepër, pavarësisht se neve na përkoi keq. Me publikun që ka, me interesimin që ka qyteti. Kështu që duhet me patjetër, që brenda një viti ta ngjisim skuadrën në Superiore. Që ta bëjmë këtë, duhet të mendojmë që sot. Nuk do të mendojmë në korrik apo në gusht”, – tha Bano.

tirana-flamurtari 0-2, Gjoka ne stol“Ishte fitore qetësie, kemi edhe tri finale”
Ernest Gjoka është pa dyshim i lumtur për fitoren e Flamurtarit të tij. “Sigurisht që kjo fitore na jep shpresë për vazhdimësinë. Takimi me Lushnjën ishte vlerësuar shumë nga ne. Shënuam dy gola të shpejtë, por nuk duhet ta kishim ulur ritmin. Pavarësisht kundërshtarit, këto janë ndeshje delikate dhe duhet shumë vigjilencë. Pas golit të tretë kemi qenë më të sigurt. Ky kampionat është shumë i vështirë. Pikët po i marrim, por ne vazhdojmë të jemi në vendnumëro, pasi edhe kundërshtarët s’po rrinë kot. Pas pushimit që na përkon me Ballshin, ne kemi disa ndeshje shumë të forta. Duhet të marrim maksimumin që të fillojmë të qetësohemi, sepse derisa matematika thotë që akoma nuk kemi siguruar asgjë, ne duhet të jemi shumë vigjilentë dhe të kujdesshëm”, – u shpreh trajneri i skuadrës vlonjate.

Tifozët vlonjatë “pushtojnë” Lushnjën
Vetëm tifozët e Flamurtarit janë ndierë gjatë gjithë ndeshjes së djeshme, që u luajt në “Roza Haxhiu”. Rreth 100 tifozë, kryesisht të grupimit “Flota Kuqezi”, kanë mbështetur sistematikisht skuadrën e zemrës me thirrjet “Flamurtari! Flamurtari!”. Ata ishin të vendosur në pjesën veriperëndimore të stadiumit të qytetit të Lushnjës, duke dhuruar spektakël. Banderola, daulle, shumë flamuj me kuadrate kuqezi. Dekori ka qenë shumë i bukur dhe në fund u shpërblyen me një fitore nga skuadra e zemrës. Ndërsa tifozëria vendëse ka qenë thuajse inekzistente. Shumë pak qytetarë lushnjarë ndoqën takimin.
ALBAN ALUSHI