Flamurtari nuk ka çfarë të humbasë ndaj Kukësit, Rrapaj: Sot na kënaq edhe një pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2019 | 9:41

Flamurtari nuk ka çfarë të humbasë ndaj Kukësit, Rrapaj: Sot na kënaq edhe një pikë

Flamurtari do të tentojë fitoren e parë përballë Kukësit në Lushnjë. Trajneri Luan Birçe ka përgatitur dje ekipin, me synimin për të marrë maksimumin nga ky takim.

Flamurtari2

Përgatitjet e fundit janë zhvilluar paradite në fushën e stadiumit. Një seancë e plotë, teksa Birçe, i shoqëruar nga drejtori Ciruna dhe përgatitësi atletik Rama, kanë dhënë udhëzimet e fundit për futbollistët. Dy mungesa do të ketë Flamurtari në takimin e sotëm. Mbrojtësi grek, Jorgos Sarris, nuk do të jetë i gatshëm për shkak të kontraktimit muskulor.

Po ashtu do të mungojë edhe Fjoralb Deliaj, që nuk ia ka dalë dot nga dëmtimi në këmbë. Të gjithë të tjerët do të jenë nën urdhrat e trajnerit Birçe. Kreu i pankinës vlonjate ka punuar më tepër me goditjet standarde. Shpesh Birçe ka ngritur edhe zërin për gabimet që ka vënë re te lojtarët. Trajneri ka kërkuar një lojë sulmuese dhe me pasime të shpejta. Birçe ka luajtur dje edhe rolin e psikologut, teksa ka kërkuar nga ekipi që të jetë i qetë përpara portës. “Duhet të tregoni karakter dhe ta shikoni si finale ndeshjen me Kukësin. Na duhet fitorja”, ka thënë ai para ekipit.

RRAPAJ – Mesfushori i talentuar vlonjat, Arinaldo Rrapaj, karikon ekipin para ndeshjes me Kukësin. Ai thekson se Flamurtari do të tentojë të mos dalë pa pikë nga kjo ndeshje.

“Këtë javë kemi zhvilluar stërvitje intensive. Jemi përgatitur në mënyrë që ditën e ndeshjes të japim më të mirën dhe shpresoj që të marrim tri pikët. Kundërshtari është i fortë, por do ta tregojë fusha e lojës. Nëse do të luajë me shpirt dhe zemër, nuk do të ketë ekip që të na dalë përpara. Pikat tona më të forta janë goditjet e këndit, me të cilat mund ta godasim kundërshtarin. Të luajmë shpejt dhe të fitojmë çdo duel, kështu mund ta godasim Kukësin. Duke parë kundërshtarin, do të jemi të kënaqur edhe me një pikë. Por në këtë takim me Kukësin, ne shkojmë vetëm për fitore”, tha fillimisht Rrapaj.

Talenti vlonjat do të grumbullohet të hënën me kombëtaren U-19 për ndeshjet eliminatore, që do të zhvillohen në Belgjikë në kuadër të eliminatoreve të Europianit. “Te Flamurtari ndihem shumë mirë. Unë gjithmonë mundohem që të jap më të mirën në çdo takim, sado që mund të quhem i ri. Mundohem të jap më të mirën në ndeshje dhe të bëj maksimumin, që ta ndihmoj sa më shumë ekipin”, përfundon Rrapaj.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"