“Flamurtari, në situatë të pashpresë”, Beqiri: Jam gati të rikthehem, por jo si futbollist

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2020 | 12:34

“Flamurtari, në situatë të pashpresë”, Beqiri: Jam gati të rikthehem, por jo si futbollist

Orjad Beqiri ndien keqardhje për Flamurtarin. Në një intervistë për “Panorama Sport”, vlonjati thotë se shkak i kësaj situate është keqmenaxhimi ndër vite i klubit në drejtim të lojtarëve që vijnë dhe ikin duke u kthyer në një barrë të madhe financiare. Beqiri e shikon të vështirë ndeshjen në Gjirokastër, teksa si ish tregon se do të bëjë tifo edhe për Flamurtarin, por edhe për Luftëtarin. Ndër të tjera, ai komenton edhe situatën në kampin gjirokastrit. 

orjad beqiri

Orjad, si ndiheni kur shikoni Flamurtarin të lëngojë në fund?

Flamurtarin e ndjek në çdo ndeshje që zhvillon dhe më vjen shumë keq për gjendjen e vështirë ku ndodhet në këto momente. Ndiej keqardhje të madhe pasi është skuadra e qytetit tim. Është skuadra ku unë u rrita si futbollist dhe ku kalova pjesën më të madhe të karrierës sime.

Cilat mendoni se janë shkaqet që e kanë çuar ekipin në këtë situatë?

Mendoj se këtë situatë e ka sjellë keqmenaxhimi ndër vite në përzgjedhjen e lojtarëve, ku vinin e iknin shumë futbollistë pa dhënë në fushë atë që duhet të jepnin, duke u larguar dhe duke u bërë barrë e rëndë për financat e klubit. Mendoj se drejtuesit duhet të fokusoheshin më shumë tek akademia e tyre dhe në këtë mënyrë do të ulin shpenzimet e tepërta, pasi në këto momente që janë fokusuar është pak e vështirë të marrësh rezultate në kohë të shkurtër.

Sa janë shanset për Flamurtarin që të qëndrojë në Superiore?

Situata është e vështirë, duke parë renditjen, por futbolli është i paparashikueshëm dhe duhet të përpiqesh deri në fund. Unë shpresoj t’ia dalin deri në fund dhe të qëndrojnë në Superiore. Të dielën luajnë me Luftëtarin në Gjirokastër.

Si e prisni ndeshjen?

Të dielën shikoj një ndeshje shumë të luftuar nga të dyja skuadrat. Do kërkohet fitorja nga të dyja anët, duke parë situatën e vështirë që po kalojnë Flamurtari dhe Luftëtari në fund të renditjes.

flamurtari luftetari

Për cilën do të bëni tifo?

Shpresoj të fitojë më i miri. Unë bëj tifo për të dyja, pasi kam qenë pjesë edhe e Luftëtarit dhe kam kaluar shumë momente të mira aty.

Po situatën te Luftëtari, si e shikoni?

Edhe Luftëtarin e shikoj njësoj si në situatën e Flamurtarit, me të njëjtat probleme: si në menaxhimin e përgjithshëm, si në financa, por edhe në renditje. Gjithmonë, kjo është në pikëpamjen time, pasi çdokush mund të ketë mendimet e tij për çfarë po ndodh.

Ndërkohë Kamza, ish-ekipi juaj, u përjashtua nga aktiviteti…

Po, kam qenë pjesë edhe e Kamzës dhe më vjen shumë keq që është përjashtuar nga aktiviteti për mosparaqitje në ndeshje. Do të doja të mos ndodhnin këto gjëra, por situata në futbollin tonë është e tillë. Kështu që, nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të shpresojmë që gjërat të ndryshojnë për mirë për çdo ekip me probleme.

Devolli-Besa

Si po ecën aventura te Besa? 

Aktualisht jam pjesë e Besës, por nuk po luaj pasi jam i dëmtuar. Shpresoj ta kaloj sa më shpejt e të kthehem të luaj përsëri.

Lojtarët e Besës kanë protestuar sot (dje), keni informacione?

Jam në Vlorë dhe nuk e di. Nuk kam folur sot (dje) me djemtë.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen? 

Planet për të ardhmen janë që do të jem pjesë e futbollit, por jo si lojtar. Do të jem në një rol tjetër, si drejtues ose si trajner. Do ta preferonit një rikthim te Flamurtari? Pse jo, jam i hapur për këdo, aq më shumë për ekipin e qytetit tim.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"