“Flamurtari në gjendjen më të mjerueshme”, Veliu gjen fajtorët: Idrizi e bashkia s’bënë asgjë për ta shpëtuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2020 | 21:16

“Flamurtari në gjendjen më të mjerueshme”, Veliu gjen fajtorët: Idrizi e bashkia s’bënë asgjë për ta shpëtuar

Franc Veliu e kishte parashikuar zbritjen e Flamurtarit në Kategorinë e Parë. Ish-kapiteni i vlonjatëve e ka menduar këtë se do të ndodhte qysh në fazën e parë, teksa po shikonte që nuk po bëhej asgjë për të rregulluar situatën.

franc veliu

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Veliu thotë se përgjegjësi për këtë kanë të gjithë nga pak, ndërsa thekson se administratori Idrizi dhe bashkia duhet që të ulen dhe të mendojnë për të ardhmen e klubit.

Mbrojtësi, i cili aktualisht është pjesë e Gjilanit në Kosovë, e shikon të vështirë kthimin e Flamurtarit në Superiore, nëse nuk do të zgjidhen privatizimi dhe problemet financiare. Ish-kapiteni i kuqezinjve është i gatshëm të kthehet në Vlorë për ta ndihmuar ekipin të ngjitet në elitë, nëse klubi do të ketë një projekt ambicioz. Veliu flet edhe për kampionatin në Shqipëri dhe Kosovë.

Veliu, Flamurtari ka rënë zyrtarisht nga kategoria, edhe pse kampionati nuk ka përfunduar ende. Ju vjen keq?

Normalisht që më vjen shumë keq. Flamurtari është skuadra ime e zemrës. Është skuadra ku unë u rrita dhe u formova si futbollist. Jam shumë i keqardhur dhe në këtë situatë nuk di çfarë të them, nuk gjej dot fjalë.

E prisnit që do të ndodhte kështu?

Patjetër që e prisja. Flamurtari e kishte marrë atë rrugë që në fazën e parë dhe nuk u bë asgjë për ta ndryshuar këtë situatë.

Kush mendoni se ka përgjegjësi për rrëzimin e Flamurtarit?

Përgjegjësi kanë të gjithë nga pak. Por, përgjegjësia më e madhe ngelet e administratorit, edhe pse ai vetë është i vetëdijshëm dhe e ka pranuar një fakt të tillë. Mirë do të ishte të mundohej të gjente një zgjidhje kohë më parë.

Mendoni se edhe Këshilli Bashkiak dhe bashkia mund të bënin diçka?

Përderisa bashkia ka lënë një administrator me vullnetin dhe dëshirën e tij të plotë, besoj se përgjegjësia e saj zbehet. Mirëpo, jo se duhet të heqë dorë nga kërkesa e llogarisë apo nga gjetja e një zgjidhjeje të mundshme lidhur me situatën.

E mbani mend të ketë qenë ndonjëherë Flamurtari në këtë situatë?

Asnjëherë nuk e mbaj mend në këtë situatë. Kjo është gjendja më e mjerueshme që Flamurtari ka kaluar.

Çfarë duhet bërë për ringritjen e ekipit?

Hapi i parë është që të plotësohet kërkesa e administratorit aktual lidhur me privatizimin e klubit dhe më pas të qartësohet mundësia financiare qe mund të jetë e lidhur me ringritjen e Flamurtarit. Pra, pa një garanci financiare dhe privatizim të logjikshëm, mendoj se do jetë e vështirë për një rikthim të mundshëm të Flamurtarit.

Cilën skuadër e shikoni për kampione këtë sezon?

Pa dyshim për kampione shikoj Tiranën. Është i vetmi ekip me një stabilitet konstant, pa përjashtuar edhe Kukësin.

Në cilën fazë është kampionati në Kosovë pas pandemisë?

Në Kosovë Gjilani ku unë bëj pjesë është në fazën e tretë. Kanë mbetur edhe 10 ndeshje për t’u luajtur deri në fund.

Ku e shikoni veten në sezonin e ri, do të qëndroni në Kosovë apo mund të ktheheni në Superioren shqiptare?

Për momentin jam i fokusuar në ekipin tim dhe shpresoj të arrijmë objektivin dhe më pas do të mendoj për të ardhmen. Të jem i sinqertë, jam ndier shumë mirë në Gjilan, por asgjë nuk përjashtohet lidhur me një rikthim të mundshëm në kampionatin shqiptar, pse jo, për të ndihmuar ende Flamurtarin, nëse do të ketë një projekt madhor ringritjeje.

ERMAL SIKA  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"