Flamurtari në fushë ndaj Apolonisë, një “telenovelë” për t’u zbuluar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2021 | 13:12

Flamurtari në fushë ndaj Apolonisë, një “telenovelë” për t’u zbuluar

Telenovela “covidiane” vijon te Flamurtari. Edhe dje drejtues të klubit dhe stafit teknik kanë këmbëngulur se katër lojtarë janë të prekur nga Koronavirusi. Por, se cilët janë ende nuk dihet. Hijet e dyshimit thellohen edhe më tepër, teksa Drejtoria Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Vlorë nuk është në dijeni se në klub ka “plasur” COVID-i. Burime nga pranë këtij institucioni thanë dje për “Panorama Sport” se në listat e përditësuara nuk ka emra të identifikuar si lojtarë të Flamurtarit.

Flamurtari

Madje, bëhet me dije se me shumë mundësi tamponët nuk janë bërë nga punonjësit e shëndetësisë të institucioneve shtetërore, por mund të jenë realizuar nga laboratorë privatë. Megjithatë, ky institucion shëndetësor thotë për gazetën se laboratori privat duhet që të kishte vendosur në dijeni Drejtorinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Vlorë. Ndërkohë, ndeshja e sotme me Apoloninë, e vlefshme për turin e parë të Kupës së Shqipërisë, do të luhet në stadiumin e Vlorës në orën 16:00.

Flamurtari

Zyrtarë të klubit i thanë gazetës se sot do të mësohen lojtarët me COVID, për shkak se ata nuk do të luajnë dhe se janë të karantinuar në banesa. Nga ana tjetër, po i njëjti burim tha se merkatoja është hapur dhe se blerjet janë federuar. Para ndeshjes trajneri Dritan Resuli nuk ka folur për mediat, por as lojtarët. Dje paradite skuadra u ka dhënë fund përgatitjeve për ndeshjen.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"