Flamurtari në borxh me dy ish-lojtarë të tij, Idrizi: S’na bllokohet merkatoja, ja si e kemi zgjidhur çështjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2020 | 13:57

Flamurtari në borxh me dy ish-lojtarë të tij, Idrizi: S’na bllokohet merkatoja, ja si e kemi zgjidhur çështjen

Te Flamurtari po përsëritet e njëjta histori si në janar sa i takon merkatos. Drejtues të klubit vlonjat nuk e pohojnë, por as nuk e mohojnë bllokimin e merkatos. Në klubin kuqezi mësohet se ka ardhur nga FIFA njoftimi për të shlyer dy ish-lojtarë, emrat e të cilëve drejtuesit e Flamurtarit nuk i bëjnë të ditur. Administratori Sinan Idrizi, duke folur për “Panorama Sport”, pranon se ka një problematikë si në janar, por thotë se ka arritur marrëveshjen me dy lojtarët dhe se nuk do të ketë bllokim të merkatos.
Sinan-Idrizi
“Besoj se nuk do kemi ndonjë problem të tillë. Bllokimi i merkatos është e njëjta histori si e ajo e janarit. Ishin shlyer detyrimet ndaj lojtarit, ndërkohë që ishte çështje procedurale për shkak të vonesave në sistemin e FIFA-s. Edhe për rastin që ju thoni, kemi marrëveshje për të shlyer detyrimet ndaj dy ish-lojtarëve të Flamurtarit. Do t’i shlyejmë me këste dhe do ta bëjmë nga llogaritë e kompanive tona, sepse llogaritë e klubit janë të bllokuara, por duhet ta dini se marrëveshja është arritur. Tani çështja mbetet te FIFA, është punë procedure e konfirmimit të pagesave dhe marrëveshjeve. Nuk do ketë probleme në vijim për bllokim të merkatos, po punojmë për të ndërtuar ekipin e ri dhe do kemi disa afrime. E përsëris, ka thjesht një çështje procedure, pasi veprimet vonohen pak në FIFA”, shprehet Idrizi.
kristian sirgif
BLLOKIMI NË JANAR – FIFA bllokoi në janar për tri sesione merkaton e Flamurtarit (janar 2020, korrik-gusht 2020 dhe janar 2021). Në fakt, gjithçka atëherë ishte mbajtur e fshehur nga drejtuesit vlonjatë, pasi vendimi kishte 3 muaj që ishte marrë për shkak të mospagesës së mbrojtësit rumun Kristian Sirghi dhe mosrespektimit të afateve. Lojtari që luajti për Flamurtarin në pjesën e parë të sezonit 2018-2019, e kishte fituar prej kohësh gjyqin, pasi FIFA e kishte marrë vendimin më 4 shtator 2019. Tani historia përsëritet në Vlorë, por drejtuesit e klubit bregdetar kanë bindje se e kanë zgjidhur këtë çështje.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"