Flamurtari ndërron logon, Bashkia: E jashtëligjshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2015 | 9:00

Flamurtari ndërron logon, Bashkia: E jashtëligjshme

logo e flamurtaritPas ndryshimit të log os së klubit Flamur tari, ka pasur një sërë reagimesh në Vlorë. Për më tepër, mund të thuhet që kanë nisur edhe polemikat në qytet për logon e re të skuadrës. Klubi i Futbollit Flamurtari ka publikuar logon e ndryshuar në faqen zyrtare në “Facebook”, gjë e cila ka sjellë reagime të aktorëve të ndryshëm.

Sipas klubit, logoja e re është zyrtarizuar që dje. Kaq ka mjaftuar për të nisur debatet dhe kundërshtitë. Oponenca ka ardhur edhe nga Këshilli i Bashkisë së Vlorës. Ish-nënkryetari i Bashkisë së Vlorës, aktualisht këshilltar në Këshillin e Bashkisë, Arqile Mishtaku, tha se në mbledhjen e radhës do të kërkojë të thirret në interpelancë për këtë çështje administratori, Sinan Idrizi.

Mishtaku thotë se në statut është përcaktuar qartë se aksioneri themelues është 100% Bashkia Vlorë dhe disa vendime janë kompetencë vetëm e Këshillit Bashkiak Vlorë.

“Nuk po gjykoj për stemën, por ndryshimi i saj bëhet nga Asambleja e aksionerëve të shoqërisë dhe nga asnjë organ drejtues i saj. Kjo është e saktësuar në ligjin 9902 ‘Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare dhe në statutin e shoqërisë faqja 9 deri 15’. Në statut është përcaktuar qartë në nenin 7 paragrafi i tretë se aksioneri themelues është 100% Bashkia Vlorë dhe çdo vendim lidhur me pronësinë, kapitalin, logon, është kompetencë e Këshillit Bashkiak Vlorë. ‘Këshilli mbikëqyrës i shoqërisë merr vendime lidhur me funksionimin e aktivitetit të shoqërisë’, përcakton shprehimisht neni 22. Çdo vendim i marrë jashtë këtyre strukturave është i jashtëligjshëm. Në këto kushte, lidhur me këtë çështje, unë do të kërkoj që në mbledhjen më të afërt të Këshillit të thirret në interpelancë administratori Sinan Idrizi. Aty pres që ai të japë shpjegime lidhur me këtë çështje që mendoj se është shumë e ndjeshme”, përfundon anëtari i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Vlorë, Arqile Mishtaku. Një diskutim që duket se sapo ka nisur në Vlorë dhe se do të ketë zhvillime të mëtejshme në ditët në vijim dhe në mbledhjet që do të ketë Këshilli Bashkiak.

Tifozët kundër logos së re:
Të dashuruar me logon që kishim
Tifozët në shumicë janë kundër ndryshimit të logos. Në rrjetet
sociale ata e kanë kundërshtuar një vendim të tillë, duke theksuar
se logoja e vjetër është simbol i historisë së klubit. Më
poshtë janë disa nga komentet e shumta të mbështetësve që e
kanë kundërshtuar ndryshimin e logos.
Geno Rushiti- E futet edhe gjysme henen.
Vlorë Xhimi- FC FLAMURSPOR.
Erdo Dule- Duam logon qe kishim, çfarë është kjooooo, turp t’ju
vijë, ne jemi të dashuruar me ate simbol, kjo ta shpiiffff, mbajeni për
vete flamurtarin pastaj se njeri s’u vjen meee…
Xhoni Pashaj- Ta nderrojne emrin e Flamurtarit nga FC Flamurtari
Vlore ne FC Avlonyaspor…
Genci Hitaj- Ate Flamur ne 1912 e ngritem kunder turkut. Turku sot
na ngriti gjysem henen. Jashte turqit nga shqiperia
Elis Sali- O cuna po lat nam ore si nuk doli njeri dhe te thoj Bravo
per nje gje te bukur por te gjith na I ka me ta futur ky ne… ore doja tu
beja nje pyetje sa harxhoni nga Xhepi juaj ju per flamurtarin. qe
vetem ju u dhimset dhe atij qe hedh nuk i ben fare pe…
Lorenc Gajta- Si emblema e Fenerbaces me duket kjo mua..
Lepurushi Fisnik- me pelqen logo e re, se kuptoj pse ankohen
tifozet. jane kohe moderne dhe logo eshte me verte nje risi ne
kampionatin shqiptar ku skuadrat kane mbetur te gjitha me logot e
komunzimit ose si kane rregulluar per 70-80 vjet me rradhe. un jam
me diplome per dizenjo dhe nga ana artistike eshte shume e arritur.
duket qe eshe bere nga studio profesioniste
Martin Tirana- Shum e bukur
Eri Kalemaj- Gjysmehena dhe shqiponja
Victoras Ksenitemenos- Posht turku…
Ardit Ymeraj- Ça beni se lat nam vendosni ate qe ishte
Labi Vlore- Hiqeni kte stem ore, thuaj atij presidentit qe mos e bej
si lopa qe ne fund e i fut nje dhe e derdh kusune .mos te bej kto
gabime !! Ta korigjoj sa me pare se ndryshe Do ngrihemi .kaq
Brisild Haxhiraj- Pse si cuat edhe nje yll mbi koken e shqiponjes
dhe ishit fix Flamurtarspori FC
Sqarim: Komentet janë origjinale nga postimet e tifozëve në faqen
zyrtare të Flamurtarit në rrjetin social “Facebook”.

Sinan Idrizi: Baza është flamuri, jo një “F” fëmijësh të viteve ’80

Administratori Sinan Idrizi, në një prononcim për “Panorama Sport”, sqaron vendimin për ndryshimin e logos. Sipas tij, logoja e re është dizenjuar nga një piktor vlonjat. “Është në origjinal shenja e flamurit që është ngritur edhe në Vlorë. Flamurtari për bazë ka flamurin dhe nuk ka një “F” fëmijësh, e bërë në vitet ’80-të me shkrim dore. Në këto kushte unë dua që të ndërtoj një sistem sporti kombëtar dhe mbarëshqiptar. E dyta është “F”-ja. Kjo shkronjë, e shkruar me shkronjat e para të Faik Konicës të revistës “Dielli”. E treta është emri ku ne jemi, Vlorë. Dhe gjithçka është kuqezi. Ku ka hënë turke dhe ku ka drapër e çekanë të kohës së komunizmit në këtë logo siç pretendojnë disa? Do t’ia çoj Këshillit të Bashkisë për miratim. Unë jam Flamurtari i Vlorës, kam bërë historinë, kam ngritur flamurin, por nuk duhet që të përfaqësohemi vetëm me një “F”. Pse të mos vendosim gjysmën e flamurit shqiptar në logo, është simbol kombëtar?”, përfundon fjalën e tij, Sinan Idrizi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"