“Flamurtari mund t’ia dalë në Lushnjë”, Sampaio: E vështirë, por sulmi do të na nderojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2021 | 10:04

“Flamurtari mund t’ia dalë në Lushnjë”, Sampaio: E vështirë, por sulmi do të na nderojë

Flamurtari nuk ka në plan që të ndalet. Pasi mposhti Elbasanin, trepikëshin e radhës e do në transfertë me Lushnjën. Rui Sampaio beson se ekipi do t’ia dalë, gjë që e thotë hapur për “Panorama Sport”. Trajneri mendon se suksesi do të vijë nga sulmi, derisa ka punuar gjatë kësaj jave në këtë drejtim.

SAMPAIO

“Jemi gati për ndeshjen e radhës me Lushnjën, që do ta luajmë në transfertë. Kemi punuar shumë gjatë kësaj jave. Jemi përqendruar më tepër në aspektin sulmues ku në fakt kemi çaluar në ndeshjet e shkuara. Kemi luajtur mirë, por kjo nuk mjafton. Nuk kemi arritur dot të shënojmë. Ky ka qenë edhe problemi më i madh për ne. Do të shkojmë në Lushnjë me respektin maksimal për kundërshtarin që do të kemi përballë, por objektivi ynë janë vetëm tri pikët në këtë transfertë. Duhet që ta shfrytëzojmë këtë moment të mirë që po kalojmë pas fitores me Elbasanin.

Unë kam shumë besim se ne do të arrijmë të dalim te rezultati pozitiv në këtë takim. Jemi një ekip me lojtarë të rinj, por që kanë bërë mirë në këto ndeshje, pavarësisht se na mungon eksperienca e duhur. Kemi parë disa takime të kundërshtarit dhe e kemi studiuar mirë gjatë këtyre ditëve. Kam punuar me lojtarët si në aspektin fizik dhe taktik ashtu edhe në atë psikologjik. Unë jam i bindur se bashkë do t’ia dalim për ta ringritur ekipin”, përfundoi Sampaio, që do të ketë dy mungesa në “Roza Haxhiu” Krenviol Kreshpa është i pezulluar pas vendimit të Disiplinës dhe Geraldo Ballaj që ka plotësuar numrin e të verdhëve.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"