Flamurtari, Moçka garant Idrizit për gjellën e duhur: Grupi i denjë për Superioren, në fund kënaqim shijet e të gjithëve vlonjatëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2022 | 23:46

Flamurtari, Moçka garant Idrizit për gjellën e duhur: Grupi i denjë për Superioren, në fund kënaqim shijet e të gjithëve vlonjatëve

Shpëtim Moçka i jep plotësisht të drejtë “furnitorit” Sinan Idrizi, për pritshmëritë që ka nga “kuzhina” Flamurtari. Duke folur si një prej “kuzhinierëve” kuqezi me eksperiencë të gjatë, Moçka thotë se Idrizi dhe e gjithë Vlora presin një Flamurtar në Superiore.

Mocka Flamurtari

Në një intervistë për “Panorama Sport”, gardiani i portës vlonjate premton maksimumin në emër të të gjithë skuadrës. Portieri mendon se ky grup lojtarësh e çon në elitë Flamurtarin, por thotë se ka ende nevojë për përforcime, pasi kampionati është shumë i gjatë.

Moçka, si ka reaguar ekipi në tri ndeshjet miqësore të zhvilluara deri tani gjatë fazës përgatitore?

Jemi në fazë përgatitore dhe ekipi është pak i ngarkuar. Mendoj se nga ndeshja në ndeshje skuadra po e ngre nivelin e lojës dhe do të jemi gati për fillimin e sezonit. Kam shumë bindje se do të përmirësohen gabimet që kemi bërë, pasi qëllimi i kësaj faze përgatitore është që ta përmirësojë ekipin dhe të ngremë nivelin e tij. Edhe futbollistët që kanë ardhur po përshtaten me grupin, kështu që jemi në rrugë të mbarë. Në nisje të kampionatit do të jemi plotësisht gati për ta startuar aktivitetin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Mendoni se mund të merrnit më shumë se barazimi në testin e fundit me Turbinën në Cërrik?

Po, patjetër. Unë mendoj se po. Ne i kishim të gjitha mundësitë për ta fituar ndeshjen me Turbinën, por gabuam në golin e pësuar. Krijuam shumë raste dhe nuk i shfrytëzuam si duhet. Megjithatë, kemi mbajtur çdo gjë shënim për të mos u përsëritur ato gabime dhe për të qenë të saktë në rrjedhshmërinë e lojës dhe në finalizim. Do të përmirësohemi, pasi për këtë po punojmë çdo ditë.

“Furnitori” Idrizi u shpreh se nga “kryekuzhinieri” Resuli dhe “kuzhina” Flamurtari pret “gjellë të mirë”, keni një koment?

Presidenti në fund do rezultatet, si e gjithë Vlora që pret që ekipi të ngjitet në Superiore. Do të bëjmë të gjitha përpjekjet që mos ta zhgënjejmë dhe t’i servirim një gatim të mirë, që në fund të sezonit të kënaqë shijet e të gjithëve dhe të gëzojë presidentin Idrizi, tifozët dhe të gjithë qytetarët e Vlorës. Presidenti na qëndron pranë dhe na ka plotësuar çdo kusht, kështu që na takon neve tani që t’ia shpërblejmë këtë mbështetje të madhe.

Është kjo skuadra e duhur për t’u ngjitur në Superiore?

Mendoj se po. Grupi i lojtarëve është i mirë, por kemi nevojë edhe për disa përforcime pasi është kampionat i gjatë dhe duhen sa më shumë lojtarë në përbërje.

Në cilat reparte mendoni se keni nevojë për afrime?

Normal që çdo ekipi i bën mirë të ketë sa më shumë lojtarë kualitativë në përbërje. Ashtu e ka më të lehtë rrugën drejt suksesit. Nuk më takon mua të përcaktoj se në cilat reparte duhen, pasi jam futbollist. Ato i takojnë stafit teknik edhe atij drejtues.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"