Flamurtari merr një sulmues nga Mali, Duro: Nuk realizova dot edhe një afrim nga Maqedonia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2017 | 9:52

Flamurtari merr një sulmues nga Mali, Duro: Nuk realizova dot edhe një afrim nga Maqedonia

Aboubakar Ibrahima Toungara është goditja e fundit e merkatos vlonjate. 22- vjeçari afrikan nga Mali ka arritur akordin dhe pritet që t’i bashkohet Flamurtarit në ditët në vazhdim, ndërsa dje klubi i ka mbyllur edhe procedurat e vizës në ambasadë. Sulmuesi ka lindur më 15 nëntor 1994 dhe është 1.78 cm i gjatë. Lojtari do të jetë shumë shpejt nën urdhrat e trajnerit Shpëtim Duro, ndërsa cilësohet si një goditje e fundit e merkatos vlonjate.

Toungara_0

KARRIERA

Ibrahima Toungara e ka nisur karrierën e tij në sezonin 2013-2016 te JS Centre Salif Keita, në sezonin 2016-2017 ka kaluar te Chabab Atlas Khenifra në Marok. Ndërsa në vitin 2017 sulmuesi afrikan ishte pjesë e AS Far, sërish në futbollin maroken. Toungara ka qenë edhe pjesë e kombëtares së Malit U-20 në vitet 2013- 2015.

DURO

Trajneri Shpëtim Duro e cilëson të mbyllur merkaton. Për “Panorama Sport”, Duro tha dje se me afrimin e afrikanit Ibrahima, merkato është e mbyllur. Duro e vlerësoi lojtarin 22-vjeçar si një përforcim të duhur.

Shpetim Duro

“Merkaton e kemi të mbyllur tashmë. Me ardhjen e lojtarit afrikan nuk kemi më nevojë, jemi të kompletuar. Ai është i ri dhe na bënë punë. Do të na bashkohet edhe Alvesh dhe çdo gjë e finalizojmë.

Në këto dy ditë të para të përgatitjes jam i kënaqur nga reagimi i ekipit dhe i lojtarëve. Natyrisht që do të punojmë fuqishëm për të arritur objektivat. Faza përgatitore do të na ndihmojë shumë. Siç e dini, 15 ditë do t’i zhvillojmë në Maqedoni dhe 15 të tjera në Greqi. Kjo do të na ndihmojë shumë për konsolidimin dhe lidhjen e ekipit”, tha Duro.

I pyetur për ndonjë peng nga kjo merkato, trajneri Duro u shpreh: “Në merkato nuk realizohen të gjitha. Do të doja edhe një afrim tjetër nga Maqedonia, por nuk realizohet dot. Ti mund të kesh shumë dëshira, por jo të gjitha realizohen, pasi lojtarët janë në kontratë. Përgjithësisht jam i kënaqur. Ata që kanë ardhur, janë lojtarë që unë doja vetë.

Them se janë blerje të mira dhe që nuk kam gabuar. Këtë do ta tregojë koha, por natyrisht unë jam i kënaqur me lojtarët që janë afruar. Kanë qenë zgjedhjet e mia”, përfundoi Duro. Trajneri Duro ka deklaruar gjithnjë gjatë kësaj periudhe se kjo është skuadra e tij dhe mban përgjegjësi për zgjedhjet që ka bërë gjatë merkatos së verës.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"