Flamurtari me sytë nga KAS-i i Lozanës dhe Bashkia: Duhen 20 mijë franga për 5 ditë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2017 | 14:45

Flamurtari me sytë nga KAS-i i Lozanës dhe Bashkia: Duhen 20 mijë franga për 5 ditë

Klubi i Flamurtarit vazhdon të shpresojë te një ndryshim i vendimit të dalë nga komisionet e FSHF për sa u përket detyrimeve financiare që ka ndaj ish-trajnerit Ernest Gjoka. Vlonjatët, nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare në Facebook, kanë bërë të ditur se edhe 5 ditë mbaron afati për të paguar detyrimin për regjistrimin e procedurës së vendimit në KAS të Lozanës.

flamurtari klub

Ata shpresojnë që edhe Bashkia e Vlorës të jepte kontributin e saj edhe pse deri tani ka qëndruar në heshtje të plotë për detyrime të cilat pretendojnë se i ka trashëguar pa të drejtë administrata aktuale e klubit.

flamurtari

Postimi i Flamurtarit

“Edhe 5 ditë na ndajnë nga skadimi i afatit për pagesën prej 20000 CHF, kosto procedurale në procesin që po zhvillohet në Zvicër, pranë Court of Arbitration of Sports (CAS), midis Flamurtari FC dhe Ernest Gjokës.

Pavarësisht betejave të gjata ligjore, kostove financiare të deritanishme lidhur me këtë proces, si dhe këmbënguljes për të sensibilizuar “firmëtarët” dhe institucionin përgjegjës, për të marrë përgjegjësitë e tyre dhe shmangien e penalizimeve me heqje pikësh për Flamurtarin, deri tani nuk ka asnjë reagim apo vendimmarrje prej tyre.

Një proces dhe një detyrim që nuk i takon presidencës aktuale, por që ka vazhduar shlyerjen në shuma të konsiderueshme të detyrimeve të lindura gjatë periudhës së administrimit të Flamurtari FC prej Bashkisë Vlorë.

Një proces dhe një detyrim që nuk i takon Flamurtari FC, por që duhet ta paguajë ecuria e përsëritur me heqje pikësh dhe imazhi i penalizuar i Flamurtarit.

I bëjmë thirrje institucionit dhe personave përgjegjës, firmëtar legal apo ilegal, të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të zgjidhin sa më parë situatën, për të mos lejuar ndëshkimin dhe penalizimin me pikë të Flamurtari FC”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"