Flamurtari me mendjen te merkato, tentohet një rikthim në portë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2022 | 14:29

Flamurtari me mendjen te merkato, tentohet një rikthim në portë

Flamurtari është në “hall” për portën. Në kohën kur e kishin “mbledhur mendjen” në këtë repart mjaft të rëndësishëm me Shpëtim Moçkën si titullar të padiskutuar, në Vlorë lindi një problem i paparashikuar.

SAUGLI ALLMUCA

Në ndeshjen me Skënderbeun ishin “me zemër në dorë”, pavarësisht se portieri Ariol Kaloshi bëri shumë mirë, por duke qenë se nuk ishte aktivizuar në asnjë ndeshje si titullar apo edhe si zëvendësues, frika ekzistonte.

Drithërimat shtoheshin edhe më shumë, kur zëvendësi i tij ishte vetëm 16- vjeçar. Megjithatë, në klub po mendojnë që tani për merkaton e janarit, pasi mendojnë “blindimin” e portës.

“Panorama Sport” mëson se drejtuesit e klubit po mendojnë rikthimin e Saugli Alimuçajt.

Portierin vlonjat e huazuan te Labëria gjatë merkatos së verës pas ardhjes së Kaloshit. Por, duket se është koha për rikthimin e tij.

Gazeta zbulon se Flamurtari ka kërkuar nga Labëria portierin, i cili do të ketë mundësi të vijë vetëm në janar, pasi aktualisht është e pamundur, duke qenë se merkatoja nuk hapet në dhjetor.

Mirëpo, të njëjtat burime treguan se Labëria nuk ka preferuar që ta lërë portierin të shkojë te kuqezinjtë, të paktën në këtë moment.

Megjithatë, bisedat vijojnë për këtë çështje.

Aktualisht si rezervë kanë dy portierët e akademisë David Petoshati 19 vjeç dhe Bruno Qarri 16 vjeç, por që nuk japin shumë siguri për ekipin e parë për vetë mungesën e eksperiencës së tyre, pavarësisht talentit që mund të kenë.

Flamurtari ka përpara tri ndeshjet e fundit të kësaj faze me Tomorin, Besëlidhjen dhe Apoloninë. Ndërkohë, asnjë nuk e di se si është e vërteta e çështjes se Shpëtim Moçkës.

Të dyja palët kanë heshtur deri më tani. E ndërsa nuk ka një qëndrim të prerë nga klubi, duket se administratori Sinan Idrizi e pret një rikthim të portierit, por ama të trokasë vetë në dyert e klubit dhe jo ta thërras ai.

Vetë Idrizi e tha qartë pak kohë më parë për gazetën se do ta dëshironte një takim me Moçkën, por kjo nuk varet prej tij. Një ikje që në fakt është e mbushur me shumë mistere dhe paqartësi.

Por nuk është çudi që portieri të rikthehet, pasi asnjë nga palët nuk i ka mbyllur rrugët. Pra, ekziston ende një shteg i hapur për rikthimin e kapitenit.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"