“Flamurtari më i fortë se Dinamo, por kreun nuk e lëshojmë”, Frashëri: E mbyllim si kampionë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2023 | 21:15

“Flamurtari më i fortë se Dinamo, por kreun nuk e lëshojmë”, Frashëri: E mbyllim si kampionë

Erlis Frashëri është i bindur se Skënder beu do të ngjitet në Kategorinë Superiore si kampion. Kapiteni i korçarëve, në një interviste për “Panorama Sport”, ka folur për rivalitetin me Dinamon dhe Flamurtarin, ndeshjen e radhës ndaj Apolonisë, si dhe raportin që ka me trajnerin Ivan Gvzodenoviç. 34-vjeçari beson shumë se me grupin që kanë bardhekuqtë, nuk do ta lëshojnë kreun e renditjes.

frasheri

Ju keni luajtur edhe më parë në këtë kategori, si është ky sezon dhe a mund të themi që ka rivalitet si asnjëherë tjetër?

Po, është e vërtetë që Kategoria e Parë këtë sezon është shumë e bukur dhe intriguese. Vetë emrat e klubeve që marrin pjesë dhe luftojnë për t’u kthyer në elitë e tregojnë këtë. Për mua është një kampionat që ke qejf të luash për rivalitetin që ka, nivelin dhe kushtet në stadiume.

Fakti që marrin pjesë skuadra që kanë bërë historinë e futbollit shqiptar, ju është dukur ndonjë moment sikur po luani në Superiore?

Ka pasur shumë ndeshje që jemi ndierë si të tillë. Rivaliteti ka qenë i madh dhe të jem i sinqertë nuk e kam pritur që të vuajmë kaq shumë. Kjo e ka bërë edhe më të bukur garën, sepse formula ku ngjiten dy direkt dhe bien katër ekipe nga kategoria, e shton konkurrencën.

Jeni ndalur në Lezhë së fundmi, çfarë nuk shkoi në atë takim dhe a keni ndonjë peng për barazimin?

Nuk mendoj se ishte një rezultat për t’u bërë dramë. Besëlidhja ka ekip të mirë dhe na ka marrë pikë edhe në Korçë. Lezhjanët e kishin jetike, kështu që një pikë nuk mund ta quaj rezultat negativ.

Aktualisht keni një pikë më shumë se Dinamo dhe tri më tepër se Flamurtari. Cilën nga këto dy skuadra vlerësoni më shumë?

Përderisa i kemi rivalë direkt, do të thotë se janë me meritë aty ku ndodhen. Personalisht mendoj se Flamurtari ka skuadër më të fortë, por nuk do të thotë gjë kjo, sepse në fund mund të mos fitojë më i miri.

Pse besoni se do ta mbyllni ju të parët këtë sezon?

Besoj shumë se do të jemi ne të parët deri në fund, pasi kemi treguar stabilitet në rezultate dhe e dimë se çfarë kërkojmë. Skuadra është konsoliduar shumë pas afrimeve në janar. Jemi më të fortë se rivalët.

Prisni Apoloninë, që vetëm dy javë më parë mundi Dinamon në transfertë. Çfarë ndeshjeje parashikoni?

Sigurisht që do të jetë e fortë. Apolonia nuk ka çfarë të humbasë dhe do të mundohet të na prishë punë, por nuk do t’ia japim këtë shans.

Si është raporti juaj me Gvozdenoviçin dhe çfarë ka ndryshuar pas ardhjes së tij në skuadër?

Me ardhjen e tij në ekip, atmosfera është bërë shumë pozitive dhe shpresëdhënëse për të arritur objektivat e klubit. Nga ana ime si kapiten skuadre, trajneri Gvozdenoviç gëzon një respekt të veçantë, sepse kemi një bashkëpunim shumë të mirë në grup për të punuar për çdo problem që na del pengesë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"