Flamurtari konfirmon trajnerin, flet Resuli: Ruajmë grupin dhe bëjmë merkato! Me Skënderbeun e Dinamon gara do jetë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2022 | 10:52

Flamurtari konfirmon trajnerin, flet Resuli: Ruajmë grupin dhe bëjmë merkato! Me Skënderbeun e Dinamon gara do jetë…

Pasi mori kupën dhe plotësoi kushtin e vetëm që i kishte vënë publikisht administratori, shuhen dilemat për të ardhmen e Dritan Resulit. Trajneri do të mbetet në detyrë edhe për Kategorinë e Parë, gjë që e konfirmon ai vetë. Ai ka nisur stërvitjen me ekipin e Flamurtarit dhe njëkohësisht po punon për ndërtimin e skuadrës për sezonin 2022-2023. Parashikon një garë të vështirë me Skënderbeun dhe Dinamon, por në të njëjtën kohë më të bukur. Këto edhe të tjera vlonjati i thotë gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”.

DRITAN RESULI

U mbyll kampionati dhe u ringjitët në Kategorinë e Parë. A ndihet më i çliruar Resuli?

Patjetër që po. Është normale që të jemi më të çliruar dhe të qetë. Por edhe të gëzuar njëherësh për arritjen e objektivit që i kishim vënë vetes në nisje të sezonit, për ta çuar Flamurtarin ku e ka vendin.

Ishte një kampionat i vështirë për ju?

Duke iu referuar fillimit, ekipi e tregoi veten dhe nuk ishte rastësi trofeu i kupës në grupin tonë dhe i kupës së Kategorisë së Dytë. Asgjë nuk ishte e rastësishme. Ka pasur edhe disa momente ku ekipi nuk është shprehur shumë mirë për shkak të zhvillimit të lojës, por jo të rezultatit. Në ndeshjet e fundit që morëm edhe dy barazime, eksperimentuam dhe pamë lojtarë të rinj, që edhe ata të matin forcën për të qenë pjesë e skuadrës në vazhdimësi. Kjo gjë na vlejti.

Çfarë ju ka penalizuar gjatë këtij kampionati?

Mendoj se vetëm fushat. Kanë qenë shumë të vështira sa i përket infrastrukturës.

Jeni konfirmuar nga administratori Idrizi për sezonin e ardhshëm në krye të pankinës?

Pas dy ditësh pushime, sot (dje) filluam stërvitjen dhe do të jemi në aktivitet me grupin të plotë. E gjithë kjo, për ta mbajtur skuadrën në tonus. Jam në punë…

Po thoni se do të ruani grupin?

Përderisa u thirrën dhe dolën në stërvitje, patjetër që ky grup lojtarësh do të ruhet.

Keni kontaktuar me administratorin Idrizi për të ardhmen, merkaton…?

Me presidentin Idrizi jemi çdo ditë në kontakt.

Po fliten disa emra lojtarësh që mund të afrohen, ju i konfirmoni dhe a mund të na zbuloni diçka?

Jemi në diskutime dhe të interesuar për lojtarë cilësorë, që mund të na ndihmojnë. Mendoj të mos lakojmë emra. E mira do të ishte të flisnim konkretisht kur të konkretizohen gjërat. Jemi të gatshëm për të afruar çdo lojtar që është me cilësi dhe peshë.

Vitin tjetër do të ndesheni me Skënderbeun, Dinamon… Do të jetë e vështirë ngjitja në Superiore?

Kategoria e Parë do të jetë e vështirë. Janë skuadra që kanë qenë në elitën e futbollit, por do të jetë garë e bukur. Nuk mendoj se do të ketë vështirësi për ne. Ne i kemi hyrë kësaj rruge dhe era e ndryshimit besoj se është dukur.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"