Flamurtari kërkon surprizën ndaj Tiranës, Troisi: Nuk kemi ç’të humbim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2020 | 11:30

Flamurtari kërkon surprizën ndaj Tiranës, Troisi: Nuk kemi ç’të humbim

Flamurtari aspak nën presion për para Tiranës. Trajneri Marcelo Troisi, në prononcimin e dhënë për mediat në prag të ndeshjes së sotme në kryeqytet, deklaroi se lojtarët janë të qetë, ndërsa kërkon një lojë të fortë. Braziliani i pankinës së kuqezinjve pranoi se kërkon nga kjo ndeshje që ekipi i tij të marrë pikë, por edhe të bëjë një lojë të bukur. Madje, ka edhe një apel për futbollistët që të tregojnë veten, pasi janë në merkato dhe dikush do të qëndrojë në Vlorë e dikush do të largohet.

troisi

Troisi jep lajmin se brazilianëve u ka përfunduar kontrata me Flamurtarin dhe nuk do të jenë në gatshëm për këtë ndeshje. “E di që është një ndeshje shumë e vështirë. Tirana kërkon të marrë kampionatin, por ne jemi të qetë. Jemi përgatitur dhe nuk kemi çfarë të humbasim. E përsëris që jemi të qetë. Shkojmë të luajmë futboll dhe të marrim rezultat. Jemi gati dhe kemi pak ndryshime, brazilianët që e kanë mbyllur me Flamurtarin.

Gjatë gjithë kohës që do të jem unë trajner, skuadra do të luajë gjithmonë fort, në çdo ndeshje, pavarësisht se çfarë kundërshtari kemi përballë. Ne kemi bërë një javë përgatitje për këtë ndeshje dhe do të bëjmë lojën tonë. Futbollistët luajnë të qetë, pasi nuk kemi presion. Madje, lojtarët luajnë edhe për veten e tyre. Dikush do të vijojë të qëndrojë te Flamurtari dhe dikush do të largohet, por duke treguar veten në çdo ndeshje ka mundësi, pse jo, të bëjë edhe lëvizje të mirë në merkato pas përfundimit të kampionatit. Ndaj Tiranës është e vështirë. E dimë të gjithë. Por, ne shkojmë të qetë dhe të bëjmë lojën tonë. Nuk kemi asgjë për të humbur në fund të fundit, ndaj do të bëjmë maksimumin që të arrijmë një rezultat pozitiv dhe të bëjmë lojën tonë pa presion”, u shpreh fillimisht Troisi.

troisiii

SYNIMI

Trajneri Marcelo Troisi deklaron se qëllimi i Flamurtarit është që deri në fund të kampionatit të respektojë fanellën dhe të marrë maksimumin. Braziliani deklaron se kërkon pikë në të tria ndeshjet e mbetura dhe se ekipi i tij do të synojë gjithçka. “Janë edhe tri ndeshje deri në fund. Ne do të kërkojmë që të marrim pikë, një, mbase dy, edhe tri pikë. Nuk e di se sa pikë do të marrim, por ne do të synojmë gjithçka në çdo ndeshje. Jemi mjaft të angazhuar për të dhënë maksimumin në këto ndeshje të mbetura. Do të respektojmë fanellën dhe do të bëjmë lojën tonë, ashtu si deri tani.

Natyrisht që lojtarët do të duhet që të japin sa më shumë nga vetja e tyre. Jam i kënaqur me mënyrën se si është shprehur deri tani skuadra, pavarësisht se nuk kemi marrë për aq sa kemi dhënë në fushë. Do të vazhdojmë kështu deri në fund”, përfundon Troisi. Kujtojmë që Flamurtari është një nga dy skuadrat, të cilat kanë rënë matematikisht në Kategorinë e Parë. Skuadra po shkërmoqet ditaditës dhe ndeshjet e fundit janë veçse për të respektuar këtë sezon, një nga më të errëtit për kuqezinjtë e Vlorë.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"