Flamurtari-Kastrioti/ Në Vlorë mungojnë golat, një qen ndërpret ndeshjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2021 | 12:45

Flamurtari-Kastrioti/ Në Vlorë mungojnë golat, një qen ndërpret ndeshjen

Flamurtari dhe Kastrioti nuk shkojnë më shumë se barazimi pa gola në ndeshjen e parë për turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, luajtur dje në Vlorë. Ka qenë një lojë e një niveli të kënaqshëm dhe e ekuilibruar, paçka se përballeshin ekipi që militon në Kategorinë e Dytë kundër krutanëve që janë pjesë e elitës.

FLAMURTARI KASTRIOTI

Vlonjatët kishin sërish në portë Alimuçajn, pasi Moçka nuk ia doli të riaftësohej prej dëmtimit. Kapiteni Andi Ribaj e nisi nga stoli, ndërsa shiritin e mbajti Liçaj. Flamurtari e nisi më mirë lojën. Në minutat e para Mukojt godet me të majtën, por topi nuk gjen kuadratin.

Kastrioti shfaqet më i qetë, ndërsa vlonjatët kërkojnë të rrezikojnë. Rastet e pastra në portat respektive mungojnë. Kodra kërkon të befasojë portierin vlonjat, ndërsa Flamurtari përgjigjet me Diamantin dhe Olivierën. Mesfushori Ramadani provon me kokë brenda zonës, por rrezikun e largon Dida.

Kastrioti shfaqet rreth minutës së 30-të me një aksion të rrezikshëm të Grecës, por është i saktë portieri Alimuçaj. Flamurtari bënë presion të vazhdueshëm, edhe pse nuk krijon raste flagrante për shënim. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa e dyta nisi me zëvendësime në radhët e krutanëve. Diamanti vendos në provë Vatën, për të vijuar më pas me Çelhakën, që ka një mundësi të mirë, por që nuk shfrytëzohet.

Në minutën e 77- të, Ribaj i aktivizuar si zëvendësues, godet shtyllën. Kastrioti përgjigjet me Prodanin, por gola nuk ka. Trajneri krutan, Ramadan Ndreu, gjatë gjithë ndeshjes ka qenë në këmbë dhe shumë i tensionuar, pasi skuadra e tij me sa duket e kishte marrë lehtë këtë takim. Përtej përpjekjeve të miqve, ndeshja u mbyll me rrjeta të paprekura dhe tashmë gjithçka për kualifikimin do të vendoset në sfidën e kthimit.

QENI NE NDESHJEN FLAMURTARI KASTRIOTIMomenti kur qeni ndërpret ndeshjen Flamurtari-Kastrioti FOTO: B.BALLIU

NDËRPRERJA – Në pritje të golit, teksa luhej minuta e 55- të, është një qen që kapërcen rrethimin dhe futet në fushë, duke u bërë protagonist për pak sekonda. Arbitri në këtë moment ndërpret ndeshjen, ndërsa qeni nuk ka ndërmend të dalë nga fusha, madje është i irrituar dhe nis të lehë.

Kjo ka shkaktuar humor dhe ngacmime mes lojtarëve në fushë dhe shkallët e stadiumit. Në një moment është qendërmbrojtësi i Kastriotit, Bekim Dida, i cili e largon qenin jashtë fushe.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"