Flamurtari kampion, Artemida Myrto: Plotësuam amanetin e Viron Toskës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2021 | 22:42

Flamurtari kampion, Artemida Myrto: Plotësuam amanetin e Viron Toskës

Flamurtari në basketboll për femra vijoi traditën e dekadave të fundit, teksa dy ditë më parë u shpall për herë të 23-të Kampion i Shqipërisë, duke mposhtur 3-0 Partizanin në serinë e finaleve.

Artemida Myrto

Kapitenia Artemida Myrto në një intervistë për “Panorama Sport”, komenton sezonin e skuadrës vlonjate. Myrto thotë se titullin e kishin detyrim ndaj, ish-trajnerit të ndjerë, Viron Toska, dhe se e gjithë skuadra tashmë ndihet krenare që e çuan në fund amanetin e tij.

Kurorëzuat një kampionat të shkëlqyer, si skuadër e pamposhtur. Cili është komenti juaj për sezonin?

Sezoni 2020-2021 pati shumë vështirësi jo vetëm për Flamurtarin, por për të gjithë komunitetin e basketbollit. Por, me punën tonë të palodhur dhe me ndihmën e stafit drejtues, arritëm si rrallëherë të mbyllnim një sezon pa asnjë humbje në kampionat, duke kryesuar me pikë të plota. Për të vazhduar me finalet e “play off”-it, të cilat siç i dini e mbyllëm me rezultat të pastër 3-0. Pra, dua ta quaj të suksesshëm si sezon me gjithë vështirësitë që kemi pasur.

Titulli kampion erdhi vetëm disa ditë pasi qyteti përjetoi një goditje të rëndë me ekipin e futbollit që zbriti në Kategorinë e Dytë… Mendoni që tifozët duhet ta kthejnë më shumë vëmendjen nga basketbolli?

Ajo që ndodhi me ekipin e futbollit na ka trishtuar të gjithëve. Një ekip me një emër kaq të madh nuk mund të përfundojë në këtë gjendje. Në lidhje me tifozërinë vlonjate, sigurisht që ne si ekip do të donim ta kishim në shkallët e pallatit të sportit si dikur, pasi prania e tyre është faktor kryesor në suksesin e skuadrës. Gjithsesi, gjej rastin të falënderoj të gjithë ata që na kanë mbështetur në çdo ndeshje, pavarësisht situatës së pandemisë.

Pas finales së Kupës kemi parë një Flamurtar më agresiv në parket, teksa i keni fituar bindshëm sfidat ndaj Partizanit. Çfarë ndryshoi në ekip pas asaj ndeshjeje të humbur mes shumë polemikash?

Episodi i Kupës së Republikës ishte ngërç për ne, pavarësisht se jo çdo gjë ndodhi për fajin tonë, pasi ne duhet të ishim fitues të atij trofeu, nëse gjyqtari nuk do të merrte atë vendim të padrejtë në fundin e ndeshjes. Por, kjo bëri që ekipi t’i nënshtrohej një analize të thellë dhe të zbriste në parket me një fytyrë. Nganjëherë, situata të tilla të shërbejnë për të korrigjuar shumë gjëra.

I prisnit fitoret me diferenca të tilla pikësh në dy finalet e para?

Ndeshjet tona me Partizanin, përjashto finalen e Kupës, janë mbyllur të gjitha me diferencë mbi 15 pikë, kështu që dhe dy takimet e para të “play off”-it ishin vazhdimësi e tyre.

Artemida 2

Cila ka qenë pika më e fortë e skuadrës tuaj në një sezon të pazakontë dhe të vështirë si ky që sapo u mbyll?

Flamurtari në basketboll për femra është brand më vete dhe si i tillë ka krijuar frymën e fitores prej vitesh, qëkur drejtohej nga trajneri Viron Toska, i cili futi mentalitetin: “Sot o fitojmë, o fitojmë” dhe kjo mendoj është pika më e fortë jona. Por, nuk dua të lë pa përmendur dhe kolektivitetin dhe frymën e grupit që mbizotëron te ne.

Gjendja jonë emocionale në rastin e këtij titulli ka qenë pak e veçantë, pasi ia kishim detyrim trajnerit tonë Viron Toska që u nda nga jeta para pak muajsh. Ndihem krenare që amanetin e tij e çuam në vend. Në fund dua të falënderoj të gjitha vajzat për përkushtimin dhe kontributin e dhënë në çdo ditë të këtij sezoni, trajnerët tanë Erion Hoxhaj dhe Vladimir Mustafaraj, drejtorin e klubit Klevis Kaso, sponsorët tanë, Bashkinë Vlorë, tifozët dhe familjen për mbështetjen që më ka dhënë.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"