“Flamurtari ka më shumë avantazhe se Dinamo dhe Elbasani”, Nenaj: Ekipit i duhen lojtarë me përvojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2020 | 14:23

“Flamurtari ka më shumë avantazhe se Dinamo dhe Elbasani”, Nenaj: Ekipit i duhen lojtarë me përvojë

Roland Nenaj, një nga ish-lojtarët e shquar të viteve të fundit te Flamurtari, e shikon të vështirë rikthimin e shpejtë të tij në Superiore. Në një intervistë enkas për “Panorama Sport”, ish-mesfushori thekson se Flamurtari duhet të hedhë baza të forta për të ardhmen. Nenaj e sheh Kategorinë e Parë si një mundësi të mirë për lojtarët e rinj vlonjatë, të cilët duhet ta shfrytëzojnë këtë shans, por gjykon se skuadrës i duhet patjetër edhe eksperiencë për objektivin e rikthimit në elitë.
Nenaj

Nenaj, a mund të ngjitet ky Flamurtar në Superiore brenda një sezoni?
Problemi i Flamurtarit nuk do parë thjesht si të ngjitet në Superiore, mendoj se në fillim duhet të krijojë një ekip me baza. Duhet të ndërtojë kolonat për të qenë ekip, pastaj ngjitja dhe përfaqësimi dinjitoz në Superiore vjen natyrshëm. Duhet vënë dorë sa më shpejt, ku në kushtet e mungesës së privatizimit bashkia duhet të jetë rregullatore dhe në bashkëpunim me administratorët të kthejnë Flamurtarin ku i takon.

Sa do të përshtatet Flamurtari me Kategorinë e Parë?
Kategoria e Parë do jetë shumë e vështirë. Ka shumë futbollistë të rinj, megjithatë është një shans i mirë për ta që të afirmohen. Kanë edhe një trajner pasionant në krye, por ngjitja do të jetë shumë e vështirë, sepse kërkohet edhe shumë përvojë.

Ndoqët nga tribuna ndeshjen miqësore me Orikun. Si ju duk paraqitja e ekipit?
Ishte një ndeshje miqësore, ku të dyja ekipet shikojnë ecurinë e përgatitjeve. Nuk është ndonjë tregues, por mendoj se Flamurtarit i duhen patjetër lojtarë me eksperiencë.
flamurtari
A rrezikon Flamurtari të hyjë në një krizë si disa ekipe me emër që janë shkëputur nga Superiorja për shumë vite?
Nuk ma merr mendja të ndodhë me Flamurtarin kjo gjë, sepse them se do të ndërhyhet. Kemi shumë më tepër avantazhe se skuadra si Dinamo, Elbasani e ndonjë tjetër. Mjafton pak vullnet për bashkëpunimin bashkiadministrator.

Sipas jush, do ishte më e mirë Kategoria e Parë me një apo dy grupe?
Mendoj se do të ishte më mirë me një grup. Do të ishte pozitive, pasi të gjitha ekipet e kësaj kategorie do të ndesheshin me njëri-tjetrin.

E mendonit se do të binte Flamurtari nga elita?
Flamurtari ka rënë nga kategoria edhe para disa vitesh dhe ekipi u kthye më i fortë në Superiore. Madje, mund të fitonte edhe titullin kampion nëse nuk do të ndodhnin ato gjëra që dihen. Shpresoj të përsëritet historia.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"