Flamurtari ka akord me Koliçin, vëmendja e merkatos zhvendoset në rajon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2018 | 13:27

Flamurtari ka akord me Koliçin, vëmendja e merkatos zhvendoset në rajon

Enea Koliçi pritet që të jetë portieri i ri i Flamurtarit. Lajmi konfirmohet për “Panorama Sport” nga burime të sigurta pranë klubit. Palët thuajse kanë arritur akordin dhe e vetmja gjë që ka mbetur është firmosja e kontratës, e cila mbetet një formalitet. Zyrtarizmi po vonon prej vetë Koliçit, i cili gjendet pranë familjes në Greqi.

Kolici

Ai ka kërkuar pak kohë për t’i qëndruar pranë bashkëshortes shtatzënë. Gazeta mëson se drejtuesit kanë komunikuar me portierin dhe kanë mbyllur në parim gjithçka. Pritet që në ditët në vijim, ai të mbërrijë në Vlorë për të finalizuar gjithçka. E ndërsa përflitet për një kalim të Koliçit tek Apollon Smirnis, në klubin vlonjat janë të bindur se ai do të jetë portier i Flamurtarit. Në fakt, portieri ka eksperiencë në klubet greke, teksa më parë ka qenë pjesë e Iraklis, Olimpiakos Volos dhe Panserraikos. Megjithatë, Flamurtari e ka ndarë mendjen dhe ka zgjedhur pogradecarin për katërkëndorin. Më parë u përfol edhe për Shpëtim Moçkën, por kjo pistë është zbehur ndjeshëm.

Merkato

Në Vlorë presin edhe Artur Rexhinaldon. Pas largimit të Danilo Alvesh, drejtuesit e Flamurtarit kanë nisur kontaktet me lojtarin nga Mozambiku. Duke qenë se është lojtar i lirë në treg, për kuqezinjtë shihet si një “okazion”. Duket se gjërat janë në rrugë të mbarë dhe se me shumë mundësi, sulmuesi do të transferohet në Vlorë për sezonin e ri. Bisedimet janë drejt fundit dhe pritet që të arrihet marrëveshja. Ai ka eksperiencë të mjaftueshme edhe në Shqipëri, pasi veç Laçit ka luajtur edhe në Gjirokastër. Fakti që është i ambientuar me kampionatin tonë shihet si “bonus”.

rexhinaldo

Një tjetër lojtar që pritet në Vlorë është edhe Gëzim Krasniqi. Ai mund të rikthehet në Vlorë dhe gjasat janë që akordi të arrihet në ditët në vijim. Të huajt Duke qenë se alternativat në tregun shqiptar janë të pakta, trajneri Daja dhe drejtuesit e klubit po hedhin vështrimin në tregun e huaj. Vendet e rajonit, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kroacia janë disa pista. Por, nuk përjashtohen as Brazili dhe Afrika. Në Vlorë po shikohen disa DVD lojtarësh, por po tregohen të kujdesshëm për të zgjedhur të duhurit, ndaj po punohet me qetësi dhe pa zhurmë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"