Flamurtari i gjymtuar, Ribaj premton: Duhen 3 pikë, barazimi si vetëvrasje me Luftëtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2019 | 9:20

Flamurtari i gjymtuar, Ribaj premton: Duhen 3 pikë, barazimi si vetëvrasje me Luftëtarin

Flamurtari kërkon vetëm fitoren në ndeshjen e sotme me Luftëtarin. Sulmuesi Andi Ribaj, në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, deklaron se takimi do të jetë i vështirë sepse edhe Luftëtari do të kërkojë të marrë maksimumin. Sipas Ribajt, ky Flamurtar po rritet dhe kjo është parë edhe në ndeshjet e fundit, ku skuadra po ndryshon. 

Ribaj

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme. Të dyja ekipet janë në pozita të këqija, si ne, ashtu edhe Luftëtari. Në këto kushte e kemi vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje. Shpresojmë të marrim tri pikët e para të kampionatit. Çdo ekip si ne, por edhe ata si brenda edhe jashtë fushe, për pikë shkojmë dhe luftojmë. Se si do të shkojë loja, mbetet për t’u parë në fushë. Neve na takon të bëjmë maksimumin për të marrë tri pikët. Kemi dy javë që kemi punuar shumë mirë me profesor Birçen dhe do t’i marrim tri pikët sipas udhëzimeve që na ka dhënë profesori në fushën stërvitore. Jam shumë i bindur te suksesi i këtij takimi”, tha fillimisht Ribaj. Sulmuesi deklaron se Flamurtarit nuk i bën punë barazimi në këtë takim, pasi do të ishte vetëvrasje. “Na duhet vetëm fitorja në këtë ndeshje. Për ne është vetëvrasje barazimi. Nuk na hyn në punë asnjë rezultat tjetër përveçse tri pikët. Duhet të marrim fitoren”, u shpreh sulmuesi.

Ribaj2

OPTIMIZMI 

Andi Ribaj deklaron se te Flamurtari ka optimizëm. Sulmuesi shpreh bindjen se ky ekip do të ndryshojë për mirë dhe se do ta kalojë shumë shpejt këtë situatë të vështirë. “Kemi optimizëm në ekip. Skuadra ka ardhur duke u rritur në këto javë, si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje. Në katërpesë ndeshjet e fundit kemi pasur ritëm, kemi pasur shumë shanse, por duhet t’i shfrytëzojmë për të marrë tri pikët. Kemi besim të madh se do t’ia dalim me sukses në këtë takim. Kemi punuar dhe kemi bërë stërvitje shumë të mira. Besojmë se do të fitojmë. Djemtë janë totalisht të motivuar për të bërë më të mirën dhe për të marrë maksimumin. Kam bindjen se shumë shpejt Flamurtari do të dalë nga kjo situatë”, përfundon Ribaj.

Flamurtari2

SITUATA 

Tri mungesa të rëndësishme do të ketë Flamurtari në ndeshjen e sotme me Luftëtarin. Sulmuesi Xhevahir Sukaj nuk ia del. Shkodrani as dje nuk është stërvitur, por e ka ndjekur seancën nga pankina. Sukaj ka pësuar tërheqje dhe nuk do të jetë i gatshëm, të paktën dje shkodrani nuk ishte i përfshirë në formacionin e trajnerit Birçe. Po ashtu mungesë do të jetë edhe greku Jorgos Sarris.

Lojtari prej dy javësh gjendet në Greqi pasi u bë baba. Nga klubi u tha se Sarris mund të kthehej dje në Vlorë, por nuk ka ndodhur kështu, pasi nuk ishte në seancën stërvitore, ndërsa mbetet për t’u parë e ardhmja. Me Luftëtarin nuk do të jetë as boshnjaku Semir Bajraktareviç. Ky i fundit ia ka prishur planet Birçes pasi ishte planifikuar si titullar dhe ishte përgatitur gjatë javës së shkuar, por u largua dhe nuk dihet nëse do të kthehet më. Lajm i mirë është rikthimi i Fjoralb Deliajt. Mbrojtësi vlonjat e ka kaluar dëmtimin, por këtë ndeshje do të jetë në stol. Po ashtu në stol edhe Ansi Nika që e ka lënë pas dëmtimin.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"