Flamurtari gjen “strategun”, Troisi mbërrin në Vlorë në mbrëmje. Sukaj e ndjek

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2020 | 17:47

Flamurtari gjen “strategun”, Troisi mbërrin në Vlorë në mbrëmje. Sukaj e ndjek

Marcelo Troisi kthehet në Vlorë. Edhe pse askush nuk e priste, trajneri i Flamurtarit është riatdhesuar nga Greqia. Mbërritja kaq e shpejtë e brazilianit ka qetësuar edhe lojtarët. Gazeta mëson se tekniku ka ardhur në qytetin bregdetar në orët e vona të mbrëmjes të së enjtes dhe dje është shfaqur në klub, ku është takuar me bashkëpunëtorët e tij si dhe lojtarët. Ka qenë përpjekja e administratorit Sinan Idrizi që bëri të mundur kthimin e tij në Shqipëri. Vetë kreu i klubit pati deklaruar se nuk do ta zbriste ekipin në fushën e lojës, nëse trajneri nuk do të vinte në kohë. Edhe pse kufijtë janë ende të mbyllur, është gjetur mënyra e riatdhesimit. Prej ditës së djeshme, Troisi ka marrë edhe “frenat” e ekipit në stërvitje.
troisi

SUKAJ – Nuk është kthyer vetëm Marcelo Troisi, por edhe Xhevahir Sukaj. Sulmuesi ka munguar prej të hënës në stërvitjet e drejtuara nga Dritan Resuli. Shkodrani u pa dje në ambientet e klubit dhe më pas në pasdite iu bashkua skuadrës në fushën sportive në Pyllin e Sodës. Nuk dihet se cili ishte në fakt shkaku i mbërritjes me vonesë të Sukajt, por me shumë mundësi i ka vendosur më parë në dijeni drejtuesit e klubit.
sukaj-flamurtari
MUNGESAT – Flamurtari ende nuk është i plotë. Edhe pse pjesa më e madhe e lojtarëve janë në dispozicion të stafit teknik, tre të tjerë nuk po duken fare. Greku Jorgos Sarris, kosovari Kreshnik Nebihu dhe shkodrani Olsi Gocaj nuk i janë bashkuar ekipit në stërvitje. Kreshnik Nebihu gjendet në shtëpinë e tij pranë familjes në Kosovë. Ai justifikohet për momentin me faktin se janë mbyllur kufijtë dhe për këtë është e pamundur që të vijë në Shqipëri. Ndërsa nuk dihet arsyeja e saktë as për mungesën e Olsi Gocajt. I kontaktuar dje nga gazeta, mbrojtësi shkodran deklaroi se mundet që të hënën të mbërrijë në Vlorë. Ndërsa për Jorgos Sarris nuk dihet asgjë. Në fakt, nuk është hera e parë që greku nuk del në stërvitje, pasi këtë gjë e ka përsëritur edhe më parë. Disa në klub thonë se Sarris është në Vlorë, por është i sëmurë dhe ndaj nuk ka dalë në stërvitje.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"