Flamurtari fiton por nuk i shmanget kritikave, Laluci: Me dy rezultate pozitive, ngopesh me lugën e zbrazur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2017 | 15:51

Flamurtari fiton por nuk i shmanget kritikave, Laluci: Me dy rezultate pozitive, ngopesh me lugën e zbrazur

Vangjel Laluci kërkon që Flamurtari të qëndrojë larg egoizmit. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, drejtori i Flamurtarit ka besim se ekipi do të jetë me “këmbë në tokë”. Laluci thekson se e veçanta e këtij Flamurtari është loja në grup. Drejtori thekson se edhe në Durrës u vu re njëfarë egoizmi në ekip, por kjo gjë sipas tij duhet që të shmanget.

vangjel laluci

“Kur arrin fitore 2-0 rritet doza e individualizmit dhe te lojtarët shfaqet një egoizëm pozitiv. Për shkak të këtij egoizmi u zbehën edhe rastet e Alveshit në Durrës, por edhe të tjera. Ne me Skënderbeun patëm dy raste tepër të sakta dhe nuk i realizuam. I humbëm pasi aty do të merrnim në mos fitore, një barazim. Pastaj jo çdo top afër portës mund të jetë gol.

Karakteristike këtë vit te Flamurtari është loja në grup. Kjo do të thotë harmonizim repartesh, futja e frymës së grupit, duke mos pasur lojtarë të veçantë. Gjithsesi, sulmuesi është ai që duhet të bëjë gol. Ne luajmë me një lojtar që është Bushiç. Në këtë kontekst, detyrimisht që, përveç asistit që bën, sulmuesi mund të na bëjë jo vetëm dopietë, por edhe tripletë. Ai ka qetësi, inteligjencë, është lojtar i shkëlqyer.

Flamurtari

Kur arrin dy rezultate pozitive, ngopesh me lugën e zbrazur. I kap euforia, por duhet profesionalizëm. Unë mendoj se Teuta çedoi në këtë pikë, ndërsa Flamurtari ishte përgatitur në mënyrë të shkëlqyer në këtë ndeshje”, tha fillimisht Laluci.

LUFTËTARI

Drejtori Vangjel Laluci thekson se Luftëtari ka ekip dhe trajner të mirë. Por, sipas tij, edhe Duro e njeh shumë mirë kundërshtarin. “Luftëtari ka një ekip të mirë dhe trajner shumë të mirë. Unë kam biseduar dy-tri herë me të, edhe për shkak të gjuhës me trajnerin e tyre kur ka qenë në Greqi. Edhe nga lojtarët kam dëgjuar që është një trajner që përcjell një frymë pozitive brenda grupit.

Dejvi Bregu nuk është një risi për ne, pasi është një lojtar i yni. Trajneri ynë e njeh shumë mirë Luftëtarin. Masat do të jenë shumë efikase. Duke futur dhe traditën, është ekip që kërkon kujdes dhe vigjilencë edhe nga pikëpamja psikologjike. Trajneri është ai që e përgatit deri në detaje ndeshjen, por fillimisht duhet të menaxhohet euforia”, u shpreh Laluci, i cili kërkon të mbajë grupin e futbollistëve me këmbë në tokë dhe që të mos mendojnë se vlonjatët kanë siguruar objektivat në vetëm tri javë kampionat që janë luajtur.

REZULTATI

Laluci është i bindur se Flamurtari do të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e nesërme. “Do të arrijmë një rezultat pozitiv siç e duam ne. Luftëtari ka bërë ndeshje të mira me Vllazninë dhe është një ekip që të hap punë. Ai ekip mund të fitojë me çdolloj kundërshtari, pasi struktura e lojës dhe grupi që kanë, i japin përparësi. Por kësaj here them se ne do të marrim një rezultat pozitiv”, përfundon Laluci.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"