Flamurtari fiton miqësoren në Greqi, edhe me Danilo Alveshin në stol
Flamurtari ka fituar me rezultatin 1-0 ndeshjen miqësore në fazën përgatitore në Veria të Greqisë. Me një gol të Kamarasë në pjesën e dytë, kuqezinjtë e Shpëtim Duros e kanë kaluar me sukses testin e parë miqësor.
Ndryshe nga ndeshjet miqësore të zhvilluara në Maqedoni, trajneri Duro për ndeshjen e djeshme me Aleksandrian, kishte planifikuar që të bënte disa ndryshime në formacion. Nga ideimi i formacionit të ndeshjes së djeshme, të binte në sy që Bushiç ishte i vetëm në majën e sulmit, ndryshe nga ndeshjet e kaluara kur ka preferuar që formacionin ta ndërtonte me dy sulmues.
Në takimin me Aleksandrinë nuk ka pasur surpriza në portë. Patjetër që Nurkoviç është tashmë edhe gardiani kryesor i vlonjatëve, i cili e nisi edhe ndeshjen e djeshme miqësore. Në mbrojtje trajneri Duro ka preferuar të vendosë Jakovljeviç, Bicaj, Veliu, Siljanovski. Ne mesfushë janë aktivizuar Useini, Xhufo, Pollozhani, Musta dhe Liçaj, ndërsa në sulm i vetëm ka qenë Bushiç, teksa duket qartë se sulmuesi tjetër Danilo Alvesh, që sezonin e kaluar mbajti edhe peshën kryesore në kampionat, nuk ka arritur akoma formën e tij më të mirë.
NDESHJA
Flamurtari ka treguar dëshirë për të zhvilluar një lojë të mirë dhe për ta fituar ndeshjen që në nisje të takimit. Vlonjatët kanë qenë më superior ndaj kundërshtarit, duke e vendosur në vështirësi. Nga ana tjetër, Aleksandria ka përdorur lojën e fortë dhe agresive për të vendosur në vështirësi kundërshtarin, por nuk ia ka arritur dot. Loja e Flamurtarit ka pasur më shumë rrjedhshmëri dhe logjikë dhe thuajse të gjitha repartet kanë funksionuar në unitet të plotë.
Flamurtari mund të kalonte në avantazh që në pjesën e parë të takimit. Lejdi Liçaj ka krosuar për Bushiç, ky i fundit ka gjuajtur drejt portës, por nuk ka finalizuar siç duhet. Në minutat në vijim, Xhufo ka pasur dy raste për shënim, por nuk ka pasur sukses. Pjesa e parë do të mbyllej me rezultatin 0-0, ndërsa asnjë nga ekipet nuk e ka mbyllur në avantazh këtë fraksion loje.
Në pjesën e dytë të dyja ekipet e nisin me zëvendësime. Trajneri Duro aktivizon në këtë pjesë sulmuesin Alvesh, Kamaranë, Nezirajn, Mersinin, Hoxhën, Mersinin dhe Sidibenë. Po ashtu u vu re edhe aktivizimi i lojtarëve të rinj Hyseni, Maze, Naçi, Qarri, Tushe dhe Bocaj. Edhe në pjesën e dytë, Flamurtari është dalluar për qarkullimin e topit, ndërsa Aleksandria për lojën e ashpër. Të pakta kanë qenë goditjet drejt portës në këtë fraksion të lojës. Zhbllokimi i rezultatit do të vinte në minutën e 75-të. Është Kamara ai që shënon për vlonjatët duke kaluar në avantazh Flamurtarin.
Përpiqet në minutat në vijim Aleksandria për të bërë diçka, por pa rezultat. Ndeshja do të mbyllej në fund me rezultatin 1-0, ndërsa Flamurtari do të shënonte fitoren e parë në ndeshjet miqësore në tokën greke. Të mërkurën, të besuarit e Duros do të ndeshen me Apollon Kallmaria. Ky do të jetë një test i rëndësishëm për vetë cilësitë e këtij kundërshtari.
ERMAL SIKA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"