Flamurtari Europian 1987

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2017 | 21:19

Flamurtari Europian 1987

Nga BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Të shtunën që shkoi, 9 dhjetor 2017, për historinë e sportit shqiptar ka qenë jubileu i një 30-vjetori të madh të futbollit kombëtar. Mbasi jemi përshkuar përmes dy pjesëve të para të këtij cikli përkujtues për Flamurtarin e Barcelonës 1-1 e 0-0 të vitit 1986 (“Panorama Sport”, 22 shtator 2017) dhe të Flamurtari – Partizani Beograd 2-0 e 1-2 të 1987-tës (“Panorama Sport, 19 tetor 2017), ashtu siç kemi premtuar, i erdhi radha përmbylljes që daton 30 vjet më parë: 9 dhjetor 1987.

Këtë madje do ta bëjmë edhe me një befasi aktuale. Si të thuash, ‘rishikimit” të një 30- vjetori, të cilit askush nuk i kushton një ceremonial sado modest qoftë ai (pra as vetë Vlora), përveç “PanoramaSport”-it. me risinë tejet të rrallë: që e përkujton edhe një revistë spanjolle, e cila madje çon në Shqipëri edhe të dërguarin e saj të posaçëm, i cili, për çudi, gjen edhe një gazetar shqiptar (në këtë rast autorin e këtushëm) për t’iu kthyer Shqipërisë së vitit 1987.

flamurtari barcelona

Dhe jo thjesht për fitoren e bujshme 1-0 të Flamurtarit ndaj Barcelonës mitike, por edhe për një vështrim përimtues politiko-sportiv të Shqipërisë së aso kohe, siç do ta paraqesim në pjesën e dytë të këtij Dossier-i. Kësisoj, në këto dy shkrime të njëmbasnjëshme, sapo do t’i kthehem arkivit tim, po aq më shumë do t’i qëndroj këtij bashkëpunimi befasues midis një gazetari shqiptar dhe një gazetari spanjoll, i cili përveç synimit të tij profesional, u bë shkak për ta trajtuar edhe ne krejt ndryshe 30-vjetorin e suksesit të madh – për Shqipërinë historik, madje – të Flamurtarit të Vlorës 1987.

Dihet ndërkaq, që mbas eliminimit të Partizanit të Beogradit, Flamurtari eliminonte skuadrën gjermanolindore “Vismut” Aue, gjithnjë për punë një goli: humbje 0-1 jashtë fushës dhe kthesë me fitore të pastër 2-0 në Stadiumin “Flamurtari” të Vlorës. Arkivi im besnik më çon kështu te 4 nëntori 1987 i 30 vjetëve më parë.

flamurtari vismut

KAM SHKRUAR:: ARKIVI 1987: “SHUMË BUKUR FLAMURTARI!”

“Javën e shkuar në Vlorë, kam ndenjur pak me Vasil Rucin. Natyrisht, biseda ishte për futbollin. Dhe “Vismut” shfaqej para kohe në synimet e futbollistit të shquar vlonjat. Siguria e fitores, më shumë se te fjalët, përvijohej në vështrimin e tij plot siguri. Pardje e kërkova ta takoj prapë Vasilin. Ishte e pamundur. Ai ka vonuar shumë të dalë nga fusha se përqafimet kanë qenë të pafund. Në sallonin e gjerë të stadiumit, gjithashtu nuk e pashë dhe atje në gardërobë, mezi dallova paksa portretin e tij karakteristik midis një grupi të madh të rinjsh, ndërsa një gazetar i “Vismutit”, po e “bombardonte” me pyetje mjeshtrin tonë.

Kësisoj, me Vasil Rucin, “u takuam” vetëm në mbrëmje nëpërmjet ekranit të vogël, kur revista televizive na e solli edhe një herë aq shprehës dhe aq emocionues golin e tij të madh, duke fiksuar portretin e tij simpatik me një “stop kamera”, që në fakt është fotoja emblematike e vetë ndeshjes së paharruar të Vlorës. Ka pra, shumë ekipe ku vetvetiu, një lojtar i vetëm identifikohet me ë. I tillë është dhe protagonisti ynë, i cili tashmë ka zënë vend të nderuar në historinë e futbollit tonë me 2-3 gola që kanë bërë jo pak jehonë europiane: ai me Barcelonën, nxitës i atij me Partizanin dhe ky i pardjeshmi me “Vismutin”, gol që për herë të parë në historinë e futbollit tonë, ngjit një skuadër shqiptare në turin e tretë të një kupe europiane. E kjo skuadër është Flamurtari i Vlorës.

flamurtarivismut

Cilësia më e lartë e futbollit shqiptar, me sa duket, ka zbritur në portin tonë të Jugut, në mjedisin plot gjallëri të një qyteti, që rrit përherë një rini sportive të gëzuar e plot shëndet. Dhe “Flamurtari” ka pasion për të luajtur futboll. Flamurtari ka shpirt. Flamurtari ka karakter të lartë sportiv. Flamurtari ka mjeshtri. Flamurtari ka mandej edhe një spektator të madh. Të gjitha këto, në fakt, janë cilësi kombëtare të futbollit tonë, interpretuesja më besnike e të cilave tani për tani është skuadra e Vlorës sonë, qytetit piktoresk që sapo ka nisur të veshë petkun e festës së madhe të nëntorit.

Po parmbrëmë, rrugëve të tij qe një festë tjetër, festa e futbollit e të rinjve sportdashës. I krijojnë fitoret e bukura në sport këto festa kuptimplote. “Është një mjedis sportiv i rrallë i një fitoreje të merituar, siç më thotë një koleg francez, Alen Kostant, i dërguari i posaçëm për këtë ndeshje i gazetës së përditshme pariziane “Le Sport”, tek shpejton për t’i dhënë redaksisë së tij reportazhin e fitores së Flamurtarit.

flamurtarivismut1

Për të ardhur në këtë epilog feste sportive, “Flamurtarit” i është dashur të kapërcejë dy vështirësi të mëdha, që veç ai din t’i kapërcejë: të shënojë dy gola e të mos pësojë asnjë. Në këtë dilemë jemi të përshkuar në 90 minutat dramatike ne, po imagjino se ç’kanë hequr futbollistët! Dhe ato ulje ngritje, në të cilat është përshkuar ndeshja, janë po aq të shpjegueshme.

Aq më tepër që dy protagonistë të shquar si Gjondeda e Bubeqi, të strukur në llogoren “hermetike” të rezervave, të cilët nuk kanë të drejtë të luajnë, kushedi ç’kanë hequr tek kanë parë jo rrallë një mesfushë të boshatisur, tek kanë parë një koleksion të tërë topash të lartë, që as Vasili e as Sokoli nuk kanë mundur t’i prekin. Mandej, edhe Ferko mangut në pjesën e dytë. Veçse për të marrë përsipër jo pak, ai, “vogëlushi” 20- vjeçar, Vasil Ziu. Besimi ndaj të rinjve! Sa përcaktues në forcën e një skuadre!

Dhe këtu është një tjetër meritë e Flamurtarit dhe trajnerit të tij, modestit Leonidha Çuri: Ziu, Memushi, Daullja, Iljadhi. Emra të rinj, që krahas Tahos – autor i një goli aq përcaktues, Çipitkapitenit të sprovuar, Petro Rucit të palodhur apo dhe portierit Arapi thuajse i pagabueshëm, e deri te Zijaj, qenë një ansambël, i cili diti të kalojë një krizë të fundit të pjesës së parë, për të zotëruar gjithçka në të dytën.

sporti popullor

Duke triumfuar me meritë të plotë edhe ndaj “Vismutit”, që nuk është tjetër, përveçse skuadra e famshme e RDGJ-së, “Vismut”e Karl Marks Shtadit – kampionia e mirënjohur e viteve ’50, e përcaktuar si një nga 4 skuadrat më të forta në gjithë historinë e futbollit të RDGJ-së pas “Forvertsit”, “Karl Zajs Jenës” e Dinamos së Berlinit. Kemi parë “xhiro nderi” kampionësh. Pardje, në Vlorë pamë “xhiro nderi” fitimtarësh në rang europian. Diçka tjetër kjo. Dhe në fakt, jo ngazëllim vetëkënaqësie.

Po një diçka spontane, instiktive, që e dirigjonin ata spektatorë të pakrahasueshëm të stadiumit “Flamurtari”, në fushën e blertë të të cilit u shkrua një faqe e paharruar e futbollit shqiptar. Latakia – Lojërat e Mesdheut. Tirana – Kampionati Ballkanik i Peshëngritjes. Vlora – Kupa e Europës. Tri kulme të një piramide suksesi të sportit tonë në këtë vjeshtë të 87-tës. Dhe më e freskëta aq elokuente: kjo e Vlorës. Shumë bukur Flamurtari! Shumë bukur!

flamurtari partizan beograd

BESNIK DIZDARI

Vlorë, 4 nëntor 1987 ***

Botimi i këtij shkrimi në gazetë, sigurisht, bëri jehonë jo të vogël, sepse nuk ka qenë si sot, kur shkrimet bëjnë pak jehonë. Për mua ai mbetet një lloj shkrimi politikisht “sui generis”, sepse për çudi nuk ka fort jehonë socialiste apo të kujdesit të Partisë për sportet, për çka ne pa ia nda, i mëshonim rregullisht pendës. Sidoqoftë, ndonjë fanatik i asokohe, që nuk i ndalonte madje as letrat anonime, nuk do të rrinte pa fol, duke e quajtur shkrimin modern a s’di se çka.

Ndonëse në të ka thjesht mbresa të gazetarit, madje kryeredaktor, i cili e kupton se suksesi i madh, të cilin aq fort e dëshironte edhe vetë Partia, nuk do t’i linte fort kohë asaj që të kërkonte të vinte lentën për të gjetur indiferentizmin “socialist”.

E tash; si gjykohet përshtat kohës, politika sportive dhe jo, ajo futbollistike e një vendi të vogël si Shqipëria e asokohe? Le të mbërrijmë pra, në numrin tonë të ardhshëm, te revista “Panenka” e Barcelonës dhe te i dërguari i saj i posaçëm në Vlorën e mbas 30 vjetëve, Jordi de Miguel Capell. E shoqëruar kjo me faqe sinjifikative – për ne të herës së parë – të shtypit spanjoll të vitit 1987.

***(Vijon në numrin e nesërm)***

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"