Flamurtari e ka në listën e rinovimeve, por mbrojtësi merr ofertë nga Kroacia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2018 | 14:42

Flamurtari e ka në listën e rinovimeve, por mbrojtësi merr ofertë nga Kroacia

Goran Siljanovski për momentin shikohet larg Flamurtarit, pasi ai ka marrë ofertë nga Maqedonia dhe Kroacia. Siljanovski është në listën e lojtarëve që drejtuesit duan të rinovojnë me Flamurtarin, por mbrojtësi ka një ofertë zyrtare nga Shkupi. Klubi maqedonas është në kërkim të një mbrojtësi të djathtë dhe Siljanovski duket si një opsion shumë i mirë.

siljanovksi1

Goran Siljanovski e ka konfirmuar gjithçka për “infosport.mk”. “Jam në bisedime e sipër. Është e vërtetë se më kanë kontaktuar nga FC Shkupi, drejtuesit e së cilës po përgatisin një projekt shumë interesant që realisht më pëlqeu, mirëpo mund t’ju them se ende nuk kam vendosur”, u shpreh fillimisht Siljanovski. Lojtari pranon se vijojnë bisedimet edhe me Flamurtarin, ndërsa zbulon se ka oferta edhe nga tri klube të tjera nga Maqedonia dhe një nga Kroacia. “Në lojë gjithashtu është edhe Flamurtari, tri klube nga Maqedonia dhe një nga Kroacia. Lidhur me klubet tjera nga Maqedonia, nuk dua të përmend emra. Prioritet është një transferim jashtë vendit, mirëpo sërish do e përmend se më pëlqeu projekti i Shkupit dhe këto ditë pres të vendos për të ardhmen time”, tha Siljanovski.
siljanovksi

Por një media tjetër në Maqedoni ka zbuluar edhe ekipin që e kërkon në Kroaci. Sipas “ekipa.mk” është Osijeku skuadra që kërkon shërbimet e mbrojtësit, që në sezonin e fundit luajti në Vlorë. Me gjasa 27- vjeçari do të largohet nga kuqezinjtë, pasi ndihet i joshur nga projekti i shqiptarëve të Shkupit, por mund të bëhet shok skuadre te Osijeku me mesfushorin e kombëtares shqiptare, Eros Grezada. Siljanovski te Flamurtari sezonin e kaluar ishte një ndër futbollistët kryesor të ekipit, duke zhvilluar 33 ndeshje në kampionat. Ai, përveç Rabotniçkit dhe Flamurtarit, në karrierën e tij kishte veshur edhe fanellën e Makedonija Gjorçe Petrovit, Vardarit dhe Renovës.|

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"