Flamurtari “duel” me Kamzën për Hair Zeqirin, në fokus Telushi dhe Zisi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2017 | 10:18

Flamurtari “duel” me Kamzën për Hair Zeqirin, në fokus Telushi dhe Zisi

Flamurtari kërkon rik thimin e Hair Zeqirit, por lojtari preferon të qëndrojë në kryeqytet dhe Kamza e Tirana e presin. “Panorama Sport” zbulon se trajnerit Shpëtim Duro i pëlqen ideja e rikthimit të mesfushorit në Vlorë, por gjithashtu në shënjestër mbetet edhe ishkapiteni Bruno Telushi, edhe pse për këtë të fundit shanset janë të vogla.

Hair Zeqiri Flamurtari stervitje

Gazeta mëson se, pak ditë më parë në një nga lokalet e kryeqytetit, trajneri i Kamzës, Ramadan Ndreu, ka bërë një takim me Zeqirin, duke i konfirmuar interesimin që ka për ta afruar në janar. Në të njëjtën kohë, Zeqiri është takuar këtë periudhë edhe me zyrtarin e lartë të klubit të Tiranës, Devi Muka.

Bardheblutë, të cilët duan të ngjiten në Superiore, i kanë bërë një ofertë zyrtare për gjashtë muajt e mbetur me opsion rinovimi edhe për një sezon. Tashmë mbetet në dorë të Zeqirit për të vendosur të ardhmen. Mesfushori prishi me konsensus kontratën me Kukësin, duke dalë futbollist i lirë dy muaj para hapjes së merkatos së janarit.

Ndërsa sa i përket ish-kapitenit të Flamurtarit, Bruno Telushi, ai është nën kontratë me Slaven Belupon në Kroaci. Mesfushori nuk është përshtatur mirë në Kroaci dhe ky mund të jetë një ndër shkaqet për të zgjidhur kontratën me konsensus. Vetë Telushi ka deklaruar se në Shqipëri do të luajë vetëm për Flamurtarin dhe nuk është çudi për një rikthim të tij në janar. Mirëpo, një ofertë konkrete mesfushori ka marrë nga klubi i Partizanit.

Telushi

Madje, mësohet se të kuqtë i japin një pagë prej 6 mijë euro në muaj vlonjatit. Gjithsesi, trajneri i Flamurtarit i ka të qarta planet e tij. Një prej lojtarëve që e do në skuadër është talenti i Bylisit, Niko Zisi. Sulmuesi është vetëm 22 vjeç dhe po shkëlqen me ballshiotët në Kategorinë e Parë.

zisi

E vetmja gjë që mund të pengojë transferimin e tij në janar te Flamurtari është kontrata që ka me Bylisin. Gjithsesi, lojtari mund të vijë në Vlorë edhe në formën e huazimit. Vetë Duro ka konfirmuar se në janar skuadrës kuqezi i duhen të paktën tre afrime.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"