“Flamurtari do të kthehet shpejt”, Mezani: Laçi nuk më bën çudi, Luftëtari mori atë që mbolli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2020 | 20:09

“Flamurtari do të kthehet shpejt”, Mezani: Laçi nuk më bën çudi, Luftëtari mori atë që mbolli

Gentjan Mezani mendon se me një strategji të mirëfilltë Flamurtari do të rikthehet shpejt në Kategorinë Superiore. Gjatë një interviste të dhënë dje për “Panorama Sport”, trajneri vlonjat që drejton Gjilanin në Kosovë, thotë se duke parë ecurinë e skuadrës kuqezi, rënia në Kategorinë e Parë nuk ishte diçka e papritur. Por, anën pozitive Mezani e shikon tek aktivizimi i elementëve të rinj vlonjatë.
mezani

Ndërsa për Luftëtarin që e ka drejtuar një sezon më parë, Mezani thekson se me rënien nga Superiorja korri atë që mbolli. Trajneri vlonjat nuk mund të linte pa komentuar ecurinë në Kosovë, ku vetëm dy ditë më parë skuadra e tij bëri një hap fals në Gjilan kundër Llapit.

Gentjan, si po shkon aventura te Gjilani?
Te Gjilani kemi një objektiv që janë Kupat e Europës. Jemi në luftë për ta arritur këtë qëllim që kemi. Pas barazimit në shtëpi me Llapin, në lojë janë edhe 6 ndeshje, ku shpresoj që të dalim me sukses.

Keni drejtuar Flamurtarin, Luftëtarin dhe Laçin në Superiore. Për cilin ekip keni më shumë nostalgji?
Natyrisht që Flamurtari është shtëpia ime, ndërsa te Laçi pata një aventurë shumë të bukur dhe arritëm rezultatet që dëshironim, si unë dhe skuadra.
Flamurtari festa e golit
E prisnit që sezoni i Flamurtarit do të shkonte kaq keq?
Duke parë gjithë ecurinë, por edhe ndërtimin e skuadrës, nuk mund të them që ishte diçka e paparashikueshme. Unë jam prej një viti e gjysmë larg ekipit dhe nuk e di arsyen pse ndodhi kjo gjë. Por, mund të them që ky Flamurtar sivjet u ka shërbyer shumë të rinjve vlonjatë për t’u afirmuar në Superiore. Mendoj se kjo është diçka e mirë, sepse shpresoj që të kemi lojtarë vlonjatë në tregun e futbollit. Aktualisht janë shumë pak në qarkullim në Superiore.

Si mund të ringrihet klubi pas kësaj që ndodhi?
Shiko, unë nuk jam ekspert për këtë gjë, por shpresoj që vitin tjetër ta shikojmë përsëri Flamurtarin në Superligë. Besoj me një strategji të mirë, që do të mund ta zgjedhin vetë drejtuesit, do të gjendet një zgjidhje optimale. Unë besoj se rikthimi në elitë do të jetë i shpejtë.

Flamurtari fitoi ndaj Luftëtarit, që gjithashtu ka rënë nga Superiorja. Mendoni se mund të bëjë një surprizë edhe në Laç?
Flamurtari ka treguar në çdo ndeshje se është një skuadër që luan për vete, edhe pse nuk ka një objektiv tashmë. Ndërsa me Laçin e shikoj një ndeshje të vështirë, duke marrë parasysh edhe përbërjen që ka skuadra kurbinase dhe për më tepër objektivin e tyre.

Cili është vlerësimi juaj për Laçin dhe Luftëtarin këtë sezon?
Laçi nuk më surprizon sepse është skuadër që ka objektiv Kupat e Europës çdo sezon. Ndërsa sa i përket Luftëtarit, mendoj se mori frytet që mbolli në këta dy vjet. Por, mua më vjen keq, sepse ka një tifozëri të mrekullueshme që nuk e meritonte këtë rënie.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"