Flamurtari do portier, por pret edhe katër futbollistë nga Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2018 | 13:28

Flamurtari do portier, por pret edhe katër futbollistë nga Skënderbeu

Trajneri i Flamurtarit, Ilir Daja, me shumë gjasa do të afrojë një portier titullar te Flamurtari. Largimi i Nurkoviç ka bërë që kuqezinjtë të nisin punën për të gjetur pasuesin e tij. Pavarësisht se administratori Sinan Idrizi u shpreh se nuk do të ketë afrime në këtë sektor, duke u besuar dy të rinjve, Qirko e Sali, trajneri Daja duket se do siguri për portën.

Qirko2

Tekniku tiranas jo se nuk beson te portierët që ofron klubi, Sali dhe Qirko, por kërkon një “gardian” me eksperiencë. Me sa duket, Daja nuk kërkon që të bëjë eksperimente, duke qenë se kërkon një skuadër me lojtarë që të mbajnë peshë dhe në fund të fundit të garojë denjësisht për titull kampion dhe pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Në këto kushte, tekniku ka nisur punën për të afruar një portier titullar dhe po studion disa alternativa.

Kolici

Së fundmi, në skenë ka dalë edhe emri i Enea Koliçit, i cili e ka mbyllur aventurën te Kukësi dhe vlerësohet si një portier me eksperiencë. Koliçi ka përvojë edhe jashtë vendit, duke qenë pjesë edhe e disa ekipeve të njohura greke, si: Olimpiakos Volou, Iraklis, Panseirraikos, etj. Në sezonin 2012-2013, Koliçi ka qenë pjesë e Flamurtarit dhe gjasat janë që të rikthehet sërish në Vlorë. Po ashtu emri i Isli Hidit po qarkullon si portier i mundshëm i Flamurtarit, por burime pranë klubit e mohojnë që të ketë interes për ish-portierin e Tiranës. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë, por janë të gjitha gjasat që Flamurtari të ketë një portier të ri në sezonin 2018- 2019.

Tefik Osmani Europa League

MERKATO– Largimi drejt Turqisë i administratorit Sinan Idrizi për arsye pune, duket se e ka stopuar merkaton. Pritet që zhvillimet të ndodhin javën që vjen, duke nisur nga nesër. Janë disa emra që përfliten si afrime të mundshme të Flamurtarit. Klubi është në bisedime me Tefik Osmanin dhe Gjergji Muzakën dhe thuhet se ata janë pranë akordit me Flamurtarin. Klubi mësohet se ka në listë edhe Gledi Micin. Po ashtu, Ali Soue është një tjetër lojtar që kërkohet në Vlorë dhe ka kontakte reale mes lojtarit dhe klubit vlonjat. Pritet që java e re të jetë vendimtare, ku me kthimin nga Turqia të administratorit Sinan Idrizi, pritet që të ketë zhvillime konkrete në merkato me afrimin e lojtarëve të rinj.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"