Flamurtari dhe Teuta, Josa me “laps” në dorë para sfidave që mund të kthejnë Vllazninë pretendente

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2022 | 17:38

Flamurtari dhe Teuta, Josa me “laps” në dorë para sfidave që mund të kthejnë Vllazninë pretendente

Vllaznia ka arritur të marrë tri pikë me shumë vlerë ndaj Kastriotit në javën e pestë. Tri pikë që erdhën jo pa mundim prej tyre, ku goli i shënuar në 42 sekondat e startit të takimit u mbrojt në mënyrën më të mirë të mundshme.

Mirel Josa2

Gjithsesi, kjo fitore nuk u kalua pa një analizë nga vetë tekniku Josa, i cili si zakonisht ka mbledhur skuadrën dhe ka analizuar me detaj takimin ndaj Kastriotit. Ai mësohet se ka parë çdo aspekt të takimit dhe së bashku me lojtarët ka nxjerrë edhe pikat ku duhet ndërhyrë për vazhdimësinë. Tekniku Josa e pati theksuar edhe pas takimit se defektet e vëna re gjatë takimit do të shikoheshin dhe diskutoheshin më parë me ekipin dhe jo me mediat.

Ai mësohet të ketë diskutuar dhe evidentuar të gjithë lojtarët dhe atë që ato bënë keq apo mirë në përballjen e fundit. Kryesorja sipas stafit teknik në atë analizë ishte që evidentonin më mirë se ku duhet të rregullojë skuadra për takimet e ardhshme duke filluar që nga përballja me Flamurtarin në Kupë dhe Teutën në kampionat. Para kësaj analize të hollësishme, mësohet se trajneri Josa ka mbledhur skuadrën edhe në ditën e parë të stërvitjes ditën e djeshme për t’u përgatitur për Flamurtarin dhe Teutën.

Në të dyja diskutimet me ekipin mësohet se tekniku kryeqytetas i bën thirrje ekipit të mos nënvlerësojë në asnjë takim si atë të Kupës ndaj Flamurtarit, pasi vitin e kaluar i njëjti ekip i rrezikoi kualifikimin skuadrës shkodrane përsëri në ndeshjen e Kupës e sërish në të njëjtin tur, por edhe atë ndaj Teutës. Por kësaj here u fol më shumë për përballjen e së hënës për Kupë, pasi për takimin a kampionatit Vllaznia do të ketë sërish ditë në dispozicion.

STATISTIKAT – Pesë javët e para duken sa pozitive po aq edhe shqetësuese për Vllazninë. 9 pikët e grumbulluara e rendisin skuadrën në vendin e tretë. Por po të shikohet golavarazhi i kuqebluve skuadra duket sa e vakët është në sulm po aq dhe deficitare në mbrojtje. Vllaznia ka arritur të fitojë tri nga pesë sfidat e para dhe të regjistrojë nëntë pikë në pesë javë. Një statistikë e thjeshtë tregon se kuqeblutë kanë shënuar gjithsej pesë gola në këto pesë ndeshje të para dhe tre prej tyre i kanë shënuar në zhvillimet e aksioneve.

FOTO: F. Hazisllari

FOTO: F. Hazisllari

Tre prej golave të shënuar nga Vllaznia janë realizuar nga aksionet e ekipit. Fillimisht, shënonte Heriç dhe Marku në ndeshjen e javës së dytë ndaj Kukësit, të cilën skuadra e Josës e fitonte 2-1 dhe më pas, në ndeshjen e javës së pestë ndaj Kastriotit, ishte radha e Hoxhajt të shënonte golin e vetëm të ndeshjes pas një topi të dhënë nga Mala. Dy gola të tjerë të shënuar nga Vllaznia janë realizuar nga pika e bardhë e 11-metërshit dhe nga zhvillimet e një goditjeje të ndaluar. Të dy këta gola kanë ardhur në ndeshjen me Tiranën, të cilën skuadra e Josës e fitonte 1-2 dhe fillimisht shënonte Marku me penallti dhe më pas, nga një goditje nga këndi, do të shënonte Kaina.

Megjithatë, vetëm pesë gola në pesë javë, është shumë pak për një skuadër si Vllaznia. Me siguri, stafin teknik, me në krye trajnerin Josa, e shqetëson jo pak kjo statistikë. Por jo më pak Vllazninë e shqetëson edhe golat e pësuar.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"