Flamurtari “betohet” për ngjitjen, Troisi: Një garë e vështirë, por ia dalim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2023 | 10:10

Flamurtari “betohet” për ngjitjen, Troisi: Një garë e vështirë, por ia dalim

Në Vlorë nuk po kurse het në merkato. Këtë herë e ka kthyer vështrimin në Kosovë, atje ku ka marrë dy lojtarë. I pari është Ermal Vitija dhe luan si mbrojtës i majtë, që më parë ka qenë pjesë e Prishtinës dhe Dukagjinit. I dyti quhet Bardh Bylykbashi, që vjen në formë huazimi nga Prishtina. Ai është mesfushor i djathtë dhe do të jetë në Vlorë deri në fund të sezonit.

TROISI

“BETIMI” PËR ELITËN Flamurtari e hapi dhe e mbylli me duartrokitje seancën e fundit stërvitore. Lojtarët shoqëruan me ovacione fjalën e trajnerit Marcelo Troisi, përpara rinisjes së kampionatit. Ata u “betuan” se do të japin maksimumin, derisa të kapin Superioren. Trajneri paralajmëroi se gara do të jetë e vështirë në nisje të këtij viti, ku i presin tri transferta radhazi. Ndalesa e parë është në Fier, atje ku shkojnë vetëm për fitoren.

BINDJA E TROISIT Për “Panorama Sport”, trajneri Marcelo Troisi tha se ky Flamurtar është më i fortë se ai i një viti më parë. Dy ndeshjet e fundit i kanë mbetur në mendje, por mendon se janë për t’u harruar dhe se Apolonia do të ndryshojë gjithçka.

“Objektivat tanë nuk ndryshohen. Do të jetë një fazë e fortë dhe i dimë fare mirë vështirësitë e këtij kampionati. Gara sa vjen e bëhet më e vështirë. Jemi gati për ta nisur sa më mbarë”, shprehet Troisi.

I pyetur se çfarë rezultati shikon në ndeshjen me Apoloninë, tekniku brazilian e lë të hapur gjithçka, por thekson se ngjitja nuk llogaritet: “Është e vështirë që të bëj parashikim, pasi çdo ndeshje ka tri rezultatet brenda. Por unë e theksoj, është një skuadër e fortë dhe jemi të bindur se do të jetë në Superiore”. Shprehet i kënaqur me afrimet e reja dhe sidomos me Augusto Neto dhe Luis Carlos dos Santos Amorim. “Jam i kënaqur me afrimet e reja. Nuk e di nëse do të mund t’i aktivizojmë dot në këtë ndeshje, pasi kanë vetëm dy ditë në Shqipëri. Në varësi të lojës, do të vendosim se çfarë do të bëjmë”, përfundoi Troisi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"